Kina po “dridhet”, zyrtarisht nuk ka të vdekur nga pandemia, por krematoriumet punojnë ditë e natë

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2022, 13:00 | Bota

Nga fillimi i vitit famëkeq 2020, janë 700 milionë të prekurit një për më shumë herë nga COVID-19, dhe më shumë se 6 milionë të vdekurit. Raportet statistikore zyrtare flasin për rreth 800 të vdekur për çdo milionë banorë, rrafsh global.  

Por kjo nuk vlen për Kinën, ku statistikat flasin për 4 vdekje çdo milion banorë. Edhe pse pikërisht nga Kina është përhapur virusi, edhe pse pamjet në rrjete sociale para se të censurohen tregojnë krematoriumet që punojnë tashmë ditë e natë.  

Statistikat kineze janë të përafërta me numrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që vendi aziatik ka më shumë se 1 miliard e 400 milionë banorë. Edhe nga 5241 viktimat e zyrtarizuara, pjesa më e madhe i referohet muajve të parë të vitit 2020.

Sot Pekini zyrtar deklaron zero viktima, por opinioni publik në Kinë po dridhet. Masat e rrepta që vendi ka zbatuar deri pak javë më parë janë tashmë të liruara, nga presioni i fortë i popullatës së metropoleve, por edhe industrive që kishin ulur ndjeshëm prodhimtarinë, sepse mbylleshin edhe për një rast të vetëm.

Vetë autoritetet shëndetësore flasin për një “valë gjigante” pandemike që ka filluar të prekë vendin, duke paralajmëruar stafin e spitaleve për një “betejë që po afron me hapa të shpejta”. Vetëm Byroja Politike në Pekin duket sikur po injoron shifrat rrezikun, duke shpërndarë shifra thellësisht të pabesueshme dhe duke ndryshuar kriteret për të cilësuar vdekjen nga pandemia, e kufizuar sipas tyre vetëm nga pneumonia ose probleme me frymëmarrjen.      

Ndërkohë epidemiologët japin një skenar krejtësisht ndryshe, ku rastet mund të shkojnë në rreth 4 milionë çdo ditë në janar, duke prekur pikun në mars. Një skenar i frikshëm për ekonominë e vendit që mund të dalë e paralizuar për muaj të tërë, duke ndikuar edhe ndoshta në stabilitetin e regjimit.

Një sinjal që XI Jinpin mund të kërkojë së shpejti ndihmë ndërkombëtare vjen nga fronti i vaksinave. Kina ka prodhuar 9 të tilla, por disa prej tyre nuk duken shumë efikase ndaj varianteve të fundit, si ato Omicron.

Jo më kot, për herë të parë, një ngarkesë me vaksina të prodhuara nga BionTech kanë mbërritur, zyrtarisht për shtetasit gjermanë aty, sipas një marrëveshje të liderëve të këtyre vendeve. Diçka që duket një hap i parë për ta zgjeruar në popullatën vendase.   (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/15/deri-ne-2-milione-te-vdekur-tre-muajt-e-ardhshem-ne-perendim-po-e-harrojme-kina-perballet-me-nje-cunami-pandemik/

A2 CNN Livestream

Latest Videos