
Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, Kina konsiderohet si origjina e Covid-19. Por, ekspertët e vendit aziatik e kanë mohuar gjithmonë këtë gjë, madje kanë ndaluar mjekët e Wuhanit, qytetit ku nisi kriza, që të flasin për fazat e para të sëmundjes.
Qeveria kineze pretendon se virusi ekzistonte jashtë kufijve të Kinës përpara se të raportoheshin rastet e para në këtë vend dhe disa media tashmë thonë se koronavirusi hyri në Kinë nga ushqimet e ngrira të importuara.
“Koronavirusi nuk nisi në Wuhan, por, sipas ekspertëve, mund të ketë ardhur në Wuhan nëpërmjet ushqimeve të ngrira”, shkruan gazeta zyrtare e Partisë Komuniste Kineze në pushtet.
Sipas ekspertit Zeng Guang, “ka shumë mundësi që virusi të ketë ekzistuar në disa vende të tjera përpara se të vihej re në Wuhan”.
Ditët e fundit, Kina ka intensifikuar kontrollet e ushqimeve të ngrira dhe ka deklaruar se ka gjetur gjurmë të Covid-19 në disa prej paketimeve. Si rrjedhojë, ka vendosur rregulla të reja për importimin e ushqimeve të ngrira dhe ka shtuar kontrollet. (A2 Televizion)