
Teksa dhjetëra të rinj shpërndaheshin në rrugicat e kryeqytetit për mos u arrestuar nga policia, një grupim pranë kryeministrisë protestoi në mënyrë më paqësore.
Ndonëse nuk munguan tensionet nga të dyja palët, protestuesit në natën e tretë shprehën pakënaqësitë ndaj sistemit, që sipas tyre, në gjithë këto vite tranzicion nuk prodhoi dot një mjedis të shëndoshë social për ta.
Vrasja e Klodian Rashës, sipas protestuesve, ishte e paralajmëruar nga sjellja që efektivët e policisë kishin shfaqur edhe më herët ndaj të rinjve. Të rinjtë bëjnë të tjera thirrje për bashkim në vazhdimin e protestave deri në momentin kur ata të shohin se në vend vërtet funksionon ligji.
Ata pranojnë ta thonë me zë se nuk kanë asnjë bindje partiake, përveç dëshirës për një shoqëri me rregulla dhe të ngrohtë për rininë, jo përjashtuese për ta.
Të etiketuar herë pas herë si vandal dhe të paguar nga opozita, të rinjtë shfaqin energjinë e tyre dhe pakënaqësinë e mbledhur prej kohësh, por jo të gjithë e kërkojnë të drejtën e tyre nëpërmjet dhunës. (A2 Televizion)