Kodi i ri elektoral, pritet zyrtarizimi i ndërhyrjeve të negociuara mes palëve

Nga A2 CNN
14 Qershor 2020, 13:40 | Politikë
Kodi i ri elektoral, pritet zyrtarizimi i ndërhyrjeve të negociuara

Të hënën pritet të jenë gati propozimet e ekspertëve për çfarë është dakordësuar mbi Reformën Zgjedhore. Mbledhja e Këshillit Politik pritet të japë bekimin, ndërsa drafti do të zhvendoset pak metra më tej, në Kryesinë e Kuvendit, për t’ia lënë radhën institucionit zyrtar, Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. 

“Ngujimet” me orë të tëra do të sjellin disa modifikime të Kodit Zgjedhor, pavarësisht se mund të mos përmbushin pritshmëritë e të gjitha palëve. Sistemi zgjedhor nuk u prek. Në periudhën prill-maj 2021, shqiptarët do të votojnë me sistemin proporcional rajonal me lista të mbyllura.

Edhe depolitizimi i kërkuar nga ODIHR nuk bëri që palët të bindnin njëra-tjetrën. Administrata zgjedhore do të vijojë me komisionerë politikë. Qeveria e zgjedhjeve do t’i nënshtrohet formatimit. KQZ do të përbëhet nga 3 nivele. Ndërkohë, mbetet ende pa u zyrtarizuar formula për zgjedhjen e nënkryetarit, për të cilën ekspertët dhe Partia Demokratike do të japin propozimet e tyre.

Sa i përket ankimimit, ai do të kryhet në Kolegjin Zgjedhor me gjyqtarë që e kanë kaluar vetting-un dhe jo në Gjykatën Kushtetuese. Krimet zgjedhore do të hetohen nga SPAK, ndërkohë që do të rritet roli i policisë, krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Gjetjen e mirëkuptimit e patën më të lehtë kur diskutuan për financimin e partive në fushatë dhe reklamat e forcave politike në media.

Palët në Këshillin Politik ranë dakord që formula e parave që do të marrin për zgjidhje, të nisë nga një dyfishim i mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit vitin e ardhshëm, duke e çuar në rreth 1 milion euro shumën për fushatën elektorale, nga 65 milionë lekë që ishte në 2017.

Në ndryshim nga kodi ekzistues, këto ndryshime do të sjellin edhe kufizime më të forta, të paktën në letër, mbi donacionet që vijnë nga privatë. Nuk do të lejohet të dhurojnë ata që kanë përfituar nga kontratat shtetërore 4 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, e po ashtu, personat apo kompanitë që dhurojnë për kandidatët dhe partitë në zgjedhje përjashtohen për 4 vjet nga përfitimi i kontratave shtetërore me vlerë mbi 10 milionë lekë.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos