Basha takon operatorët turistikë në Vlorë: Do çlirojmë biznesin nga taksat e larta

Nga A2 CNN
13 Qershor 2020, 18:50 | Politikë
Basha takon operatorët turistikë në Vlorë: Do

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me operatorët turistikë në qytetin e Vlorës, ku u njoh me problematikat që po has ky sektor në këtë periudhë pandemie.

Kryedemokrati akuzoi qeverinë se nuk po e mbështet turizmin në Shqipëri i cili punëson më shumë se 90 mijë persona.

“Operatorët turistikë të qytetit të Vlorës më treguan shqetësimet e tyre. Pushues nuk ka, taksat e tatimet duhet t'i paguajnë, punonjësit gjithashtu. Maqedonia e Veriut për të mbështetur turizmin vendor u ka akorduar qytetarëve kupona me vlerë 100 euro për t'i shpenzuar në destinacione të ndryshme turistike. Ndërsa RAMAVIRUSI u çon fadromat e gazin lotsjellës për t'iu prishur ndërtimet pa asnjë dokument e për të krijuar hapësira për oligarkët e radhës. Sektori i turizmit punëson 93 000 persona dhe në zinxhir, pothuajse, 200 000 të tjerë. Qindra mijëra familje jetojnë me të ardhurat nga turizmi”, tha Basha.

Me tej, Lulzim Basha tha se Partia Demokratike është duke hartuar një plan të ri për t’i ardhur në ndihmë të turizmi i cili do t’i çlirojë bizneset e këtij sektori nga taksat e larta.

Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet, duke u bazuar në praktikat më të mira botërore. Ne jemi duke hartuar një plan i cili do të konsultohet më pas me operatorët turistikë për të arritur në një produkt që ta ndihmojë këtë sektor, zhvillojë dhe njëkohësisht të rrisë punësimin me paga dinjitoze. Taksat e larta që sot shkojnë në xhepat e oligarkëve do të reduktohen. Ne do të çlirojmë qytetarët dhe biznesin në përgjithësi nga taksat e larta, duke vendosur taksën e sheshtë 9% që t'iu japim mundësi për të rritur punësimin dhe konsumin. Ne do të bëjmë gjithçka për të garantuar konkurrencën e lirë e të barabartë në Shqipëri, duke i dhënë fund politikave klienteliste dhe korruptive, të cilat kanë përthithur deri më sot qindra milionë euro të parave publike”, përfundoi Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos