
Gjykata e Posaçme vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar në mungesë për Eduart Dautin, një prej administratorëve të “Alba Exotic Furit”.
Biznesmeni 51-vjeçar akuzohet nga SPAK për trafik të kokainës nga Amerika Latine në Shqipëri në 6 raste në formën e grupit të stukturuar kriminal. Ai u arrestua të mërkurën, pas më shumë se 8 muajsh qëndrimi në arrati.
Me argumentin se droga nuk ishte gjetur brenda kontenierëve me banane nga Ekuadori, avokati i Dautit përjshtoi klientin dhe kompaninë e tij nga trafiku, pa lënë mënjanë as pretendimet e konkurrencës së pandershme.
Teksa përmendi rastin kur kondicioneri i një kontenierëve u dëmtua brenda portit, avokati hodhi dyshime mbi përfshirje të autoriteteve.
Gjatë dy viteve të fundit në kontenierët e shoqërisë “Alba Exotic Fruit” janë bllokuar gjashtë ngarkesa me nga 5 deri në 10 kilogramë. Ndërsa në episodin e vitit 2019, gjatë tranzitit në portin e Pireut të një prej kontenierëve u bllokua një sasi prej 137 kg kokainë, që u zëvendësua më pas me oriz.
Më herët, është arrestuar administratori tjetër i shoqërisë, vëllai i Dautit, Bajron Gumeni. (A2 Televizion)