
Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu e nisi konferencën e radhës për shtyp me një falënderim të veçantë për të gjithë stafin mjekësor, i cili tashmë prej 10 muajsh përballet me pandeminë e koronavirusit.
Manastirliu, para se të bënte një rezyme të investimeve dhe përpjekjeve për përballimin e situatës nga pandemia, paralajmëroi se vendin e presin muaj jo të lehtë.
“Tashmë prej 10 muajsh, mjekët, infermierët, epidemiologët, urgjenca dhe ekipi i shëndetësisë po përballen me Covid-in. Gjej rastin t’i falënderoj edhe njëherë pasi nuk kanë qenë muaj të lehtë, dua t’i inkurajoj dhe motivoj për atë që do të sjellë situata në vijim, pasi nuk do të kemi muaj të lehtë në përballje me pandeminë. Puna jonë nuk ka ndalur për të siguruar mbrojtjen e shëndetit, rritjen e kapaciteteve.
Për mjekët, infermierët, stafi mbështetës ka pasur një bonus special që në momentin e parë të përballjes me pandeminë. Kemi siguruar mjetet e mbrojtjes personale. Kemi dyfishuar kapacitetet me shtretër në dy struktura të reja Covid. Sistemi ynë shëndetësor numëronte rreth 200 respiratorë në muajin mars. Sot, në sistemin tonë kemi 483 respiratorë të dedikuar në funksion të mbështetjes së terapive intensive”, u shpreh Manastirliu. (A2 Televizion)