
Komisioni hetimor është një mekanizëm që ju mundëson deputetëve të ushtrojnë hetim parlamentar ndaj zyrtarëve me imunitet. Ngritja e tyre sipas Kushtetutës është detyruese për Kuvendin, mjafton firma e 35 deputetëve.
Hetimi parlamentar i firmave piramidale, apo ndaj zyrtarëve të lartë të drejtësisë, kapja e veshit të një diplomati shqiptar apo hetimi ndaj Edi Ramës si kryetar bashkie, e Sali Berishës si ish-kryeministër janë disa nga rastet më të bujshme në të cilat deputetët janë përfshirë në një hetim parlamentar.
Komisioni hetimor pas përfundimit të hetimit mund të kërkojë edhe shkarkimin e zyrtarit, por nuk mund të ushtrojë atributet e gjykatave. Raporti përfundimtar duhet të miratohet në kuvend dhe fatin e hetimit e vendos forca politike që ka shumicën e votave. Kjo bën që komisionet hetimore të jenë më shumë një instrument politik në dispozicion shpesh të opozitës së radhës, ndonëse nuk kanë munguar rastet kur janë përdorur nga forcat politike në pushtet kundër rivalëve politikë.
Ndonëse qartësisht deputetët nuk mund të çojnë askënd në pranga, hetimet parlamentare kanë më tepër synimin të sjellin në vëmendjen opinionit publik çështje të ndryshme përmes dëshmive, shkresave e fakteve që mund të paraqiten. Zakonisht raportet dorëzohen në dyert e drejtësisë.
Nga viti 1991-2022 janë ngritur 48 komisione ndërsa që nga shtatori i 2013 kur PS ka marrë pushtetin janë pranuar 16 hetime parlamentare por pa rezultatin e kërkuar nga pala akuzuese. Shumica prej tyre janë të drejtuar nga PD.
Një vit më parë Edi Rama ishte sërish në cilësinë e dëshmitarit përballë demokratëve, por me një post tjetër, atë të kryeministrit për t’u përgjigjur për çështjen e inceneratorit. Rezultatet e këtyre hetimeve u dërguan edhe SPAK por ato nuk janë detyruese për gjykatat. Ndërsa socialistët vitet e fundit u morën me Ilir Metën, në tentativën e parë dështuan, ndërsa me ndihmën e dytë e shkarkuan Presidentin, vendim që më pas e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. (A2 Televizion)