Komisioni Hetimor për 25 prillin, Alibeaj padit Veliajn e Lelin: Refuzuan informacionin për punësimet dhe shpërblimin e tërmetit

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2021, 10:55 | Politikë
Komisioni Hetimor për 25 prillin, Alibeaj padit Veliajn e Lelin: Refuzuan

Është mbledhur sot komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Kreu i këtij komisioni, Enekeljed Alibeaj, njoftoi se do të padisë për shpërdorim detyre Erion Veliajn dhe Dritan Lelin, pasi nuk kanë sjellë ende informacion për punësimet gjatë periudhës 1 janar 2020 - 31 prill 2021, si dhe për shpërblimet e tërmetit.

“Bashkia Tiranë dhe Bashkia Vlorë nuk i janë përgjigjur detyrimit ligjor për të sjellë në komisionin hetimor për zgjedhjet, dokumentet e kërkuara. Të dyja bashkive u është kërkuar të sjellin informacion për punësimet nga 1 janar 2020 - 31 prill 2021. Për Bashkinë Tiranë, ka edhe një kërkesë tjetër për të sjellë informacion për shpërblimin për tërmetin. Këto 2 bashki nuk kanë kthyer përgjigje. Me gjithë njoftimet e ribëra 3 herë, nuk kanë sjellë pranë komisionit asnjë justifikim ligjor lidhur me mundësinë apo pamundësinë e tyre”. 

https://a2news.com/2021/11/24/hetimet-per-zgjedhjet-e-25-prillit-brenda-24-dhjetorit-thirren-te-gjithe-deshmitaret/

Në replikë me të, deputeti socialist, Toni Gogu, tha se duhet të presim.

“Mendoj që duhet të presim informacionin, se edhe shërbimet postare funksionojnë ndryshe. Por jam i sigurt se informacioni është duke mbërritur”. 

Deklarata e Alibeajt gjeti mbështetjen edhe të dy deputetëve demokratë, Ervin Salianji dhe Oerd Byllykbashi.

“Bindja e deputetit të PS-së nuk duhet të na bëjë ne që të tolerojmë në lidhje me ligjin. Bashkia e Tiranës ka resurse shumë të mëdha, kështu që nuk ka qenë pengesë kjo për moskthimin e përgjigjeve. Duhet vazhduar të bëjmë kallëzim për shpërdorim detyre. Po tentojnë të trajtojnë shtetin si pronë personale”, tha Salianji. 

“Shpërfillja e treguar na detyron që të vendosim përpara forcës shtrënguese të ligjit bashkitë që nuk e kanë respektuar atë. Në këtë fazë, askush nuk mund të mendojë se mund të nëpërkëmbë parlamentin, që ka investuar pushtetin e tij te ky komision. Duhet të tregojmë forcën e ligjit dhe të operojmë pa vonesë”, theksoi Bylykbashi. 

Përfaqësuesi i mazhorancës e konsideroi humbje kohe dhe kërkoi që të vijohet me pikën tjetër të rendit të ditës.

“Jeni duke humbur kohë, pasi institucionet po zbatojnë afatet. Të dyja pretendimet që ngrenë kolegët hidhen poshtë nga moria e informacionit që ka ardhur. Të kalojmë te pika tjetër e rendit të ditës”. 

Ndërkohë Alibeaj, theksoi se në përfundim të mbledhjes do të depozitohet kallëzimi penal për shpërdorim detyre për bashkinë e Tiranës dhe Vlorës.

“Miratimi i planit të hetimit, që është pika tjetër, do të ishte i plotë, kur ne të kishim të gjithë informacionin e plotë të kërkuar. Nëse ka ardhur përgjigjja nga 59 bashki, nga 12 inspektorate, nga ministritë dhe institucione të tjera, këtu ka diçka që nuk shkon. Shkresat janë dërguar prej më shumë se 3 javë përpara. Detyrimi për përgjigje është sipas afateve që vendos komisioni. Ne duhet të reagojmë, pasi sa herë vërehet një indiferencë, në rastin më të mirë, nuk ka më justifikim ligjor. Është detyrim ligjor që të reagojmë ligjërisht ndaj këtij qëndrimi. Në përfundim të kësaj mbledhjeje do të depozitohet kallëzimi penal për shpërdorim detyre”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos