Ka përfunduar me sukses testimi i kompanisë gjermane Lilium për taksinë fluturuese 5-vendëshe. Ky është një hap i madh për kompaninë e cila shpreson të bëjë funksional shërbimin fluturues në vitin 2025.
Makina fluturuese e pajisur me 36 motorë do të lëvizë me një shpejtësi maksimale prej 300km/h. Ndërsa nuk ka dhënë detaje mbi kapacitetin e peshës së makinave fluturuese, kompania ka deklaruar se ato mund të mbajnë pilotin, 5 pasagjerë, si dhe bagazhet e tyre.
Ndryshe nga konkurrentët e tij, Lilium planifikon të ketë edhe një pilot, pasi, sipas kompanisë, kjo do të lehtësonte procesin e certifikimit si taksi ajrore nga Agjencia Europiane e Sigurisë së Aviacionit.
Lilium nuk është e vetmja kompani që po operon në zhvillimin e makinave fluturuese, pasi në mbarë botën numërohen më shumë se 100 programe që po zhvillojnë teknologjinë më të fundit në këtë sektor. (A2 Televizion)