Komunikonin për shitblerje votash në Tiranë, një i arrestuar dhe një procedohet penalisht

Nga A2 CNN
10 Maj 2023, 09:20 | Kronikë
Komunikonin për shitblerje votash në Tiranë, një i arrestuar

Një 52-vjeçar është arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi u shfaqën në një video në portale duke komunikuar me një tjetër për shitblerje votash. Sipas Policisë në pranga ka rënë Kristo Agalliu, si dhe u referuan materialet në Prokurori për shtetasin Agron Duraj.

Njoftimi i Policisë Tiranë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar "Premtuesi". 

Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe procedohet penalisht një tjetër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, komunikonin për shitblerje votash për një subjekt politik.    

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e çdo paligjshmërie, bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet një shtetas që komunikon për shitblerje votash, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Premtuesi".  

Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit K. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 61 vjeç, banues në Tiranë. 

Këta shtetas janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shitblerje votash për një subjekt politik. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos