Komuniteti Politik Europian, liderët e 44 vendeve takohen në Pragë. Borrell: Rend i ri pa Rusinë

Nga A2 CNN
6 Tetor 2022, 13:30 | Bota
Komuniteti Politik Europian, liderët e 44 vendeve takohen në

Praga do të jetë qendra e politikës sot dhe nesër, kur 44 udhëheqës europianë janë mbledhur në takimin inaugurues të Komunitetit Politik Europian, por paqartësi të shumta mbeten mbi atë që organizata përfaqëson dhe që mund të arrijë.

Samiti përfshin 27 shtetet anëtarë të BE, vendet aspiruese për integrim të Ballkanit perëndimor dhe Europës Lindore, e gjithashtu Britaninë e Madhe dhe Turqinë. Të përjashtuara janë Rusia dhe Bjellorusia. Shef i politikës së jashtme te BE, Josef Borrell, tha se në Pragë po krijonin një rend të ri pa Rusinë, ndërsa Emmanuel Macron njëherësh ideatori i bashkësisë, pohoi se samiti tregon “unitetin” e kontinentit europian, teksa përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë. “Synimi, pikë së pari, është që ne të ndajmë pikëpamjet për situatën që po prek Europën, por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”, tha presidenti francez.

Kryeministri i Republikës Çeke, e cila kryeson Bashkimin Evropian, Petr Fiala paralajmëroi e cilësoi samitin si një mundësi për diskutime më joformale mbi çështjet e sigurisë dhe paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe synimet e mbrojtjes së mjedisit.

https://a2news.com/2022/10/06/mblidhet-komuniteti-politik-europian-rama-nje-ide-e-vjeter-qe-rilind-ne-kohe-krizash/

Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili do të jetë një nga 5 folësit në takim, bashkë me kryeministren britanike Lizz Truss, liderët e Norvegjisë, Çekisë dhe po ashtu presidentin Zelensky, që do të lidhet me video konferencë, theksoi mbështetjen për iniciativën. “Kjo nuk është një ide e re. Është një ide e vjetër e rilindur në kohë krize, por shpresoj që të mos kemi nevojë për një krizë tjetër për të pasur një takim të tillë. Shpresoj që pas takimit të sotëm të vijojmë më tej për të ndërtuar diçka të rëndësishme për të gjithë komunitetin europian. Shqipëria është pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, i rrethuar nga kufijtë e Bashkimit Europian dhe për ne është thelbësore që edhe pse nuk jemi pjesë e BE, të jemi me ju”, tha Rama.

Në takimin në Pragë, Kosova po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Ajo tha se në platformën e re, të gjithë përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe është vend për të sjellë ide për të tejkaluar sfidat e përbashkëta.

Mes skepticizmit të atyre qe e shohin iniciativën si një dhomë pritje për shtetet deri më tani të refuzuara nga BE, ideatori i saj, Emmanuel Macron ka theksuar vazhdimisht se Komuniteti Politik Europian nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit por një mënyrë për të lejuar bashkëpunim më të ngushtë me vendet demokratike rreth kontinentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos