
Më shumë se një vit e gjysmë nga Konferenca e Donatorëve, grantet dhe kreditë e premtuara ende nuk janë përthithur nga institucionet. Deri më tani, janë disbursuar rreth 300 mln euro, ose thënë ndryshe 32 për qind e totalit të fondeve të premtuara.
“Miliardat e be dhe botës nga e thëna në të bërë kanë në mes 7 detet të tëra”. Ky pohim i kryeministrit Rama i bërë më 6 tetor 2020, pak më shumë se 7 muaj nga mbajtja e Konferencës së Donatorëve, por rezulton i vërtetë.
Gati 2 vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe më shumë se një vit e gjysmë nga mbajtja e Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt të vitit të shkuar, fondet e premtuara për rindërtimin ende nuk janë thithur.
Sipas të dhënave nga “financat”, deri më tani janë disbursuar rreth 300 mln euro, ose thënë ndryshe 32 për qind e totalit të granteve dhe kredive të premtuara.
Kjo shifër është shumë lart entuziazmit të krijuar më 17 shkurt të 2020-s në Bruksel.
Në shkurtin e vitit 2020, qeveria përllogariti se fatura e dëmeve nga tërmeti ishte rreth 985 milionë euro, ku dëmet dhe humbjet më të mëdha ishin në strehim, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, prodhim, mbrojtjen civile dhe atë sociale.
Durrësi, Tirana, Kruja, Kavaja, Shijaku, Vlora, Kurbini, Lezha, Kamza, Mirdita dhe Rrogozhina ishin bashkitë më të prekura.
Me faturën e dëmeve në dorë, kryeministri Edi Rama iu drejtua konferencës së donatorëve dhe mori që andej premtime për 1.1 miliardë euro, prej të cilave 850 në formë kredie dhe 300 milionë grante.
Italia, Turqia, BERZH, Banka Qendrore Europiane, ajo Botërore, Grupi Islamik i Zhvillimit dhe Franca ishin shtetet dhe institucionet që premtuan fondet më të mëdha
Nga ana tjetër, Komisioni Europian kanalizoi 75 milionë euro ndihma për rindërtimin e shkollave dhe 50 milionë për monumentet e kulturës. (A2 Televizion)