Konferenca e parë ndërqeveritare, Balla: Mund të mbahet të hënën ose të martën

Nga A2 CNN
13 Korrik 2022, 15:47 | Politikë
Konferenca e parë ndërqeveritare, Balla: Mund të mbahet të

Partia Socialiste është optimiste për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare javën e ardhshme. Kreu i grupit socialist, Taulant Balla në një konferencë për mediat me deputetin e Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviç deklaroi se në Këshillin Europian përgatitjet kanë nisur.

“Në Këshillin Europian përgatitjet janë gati për të hënën dhe të martën që të mbahet konferenca. Unë thash me shpresë që brenda kësaj jave një prej detyrave të shtëpisë të planit francez për Maqedoninë e Veriut të përmbushet dhe thirrja ime është që ky parakusht të plotësohet”.

Deputeti i socialdemokratëve Ahmetoviç shprehu angazhimin e qeverisë gjermane për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare javën e ardhshme, ndërsa dha mbështetjen e tij për rajonin.

“Ne si qeveri e re gjermane dhe si parti socialdemokrate, e shohim Shqipërinë  si anëtar të BE. Para tre javësh patëm një konferencë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Jam edhe vetëkritik. Kishim një rast historik që t’i jepnim Kosovës liberalizimin e vizave, të mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe sidomos Shqipërinë për hapjen e negociatave, si dhe për të ndihmuar Malin e Zi të mbyllë të gjithë kapitujt, por ne e humbëm këtë shans historik. Ne si Gjermani do të punojmë që javën e ardhshme Shqipëria të mund të nisë negociatat. Ju të gjithë e meritoni të jeni pjesë e familjes së madhe të BE-së”.

Për të evituar ndarjen në dy procese të ndryshme integrimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Balla i bëri ftesë kolegëve të opozitës në Shkup që të votojnë propozimin francez. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos