Konfirmohen 24 persona të vdekur nga tërmeti, mbi 650 të lënduar. Kërkimet për të bllokuar nën rrënoja vijojnë edhe gjatë natës

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2019, 04:32 | Aktualitet

Ndiqni A2 live në TV ose YouTube për detajet e fundit...

https://youtu.be/5u6ei_eRYgo

Ora 00:46 - Klajdi Qato është nxjerrë nga rrënojat në Durrës.

I riu nga Tirana u nxor nga gërmadhat e hotelit që u shemb në Durrës.

Ora 00:11 - Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Durrës dhe Thumanë.

Ora 23:50 - Presidenti Ilir Meta mbërrin në Thumanë.

Ora 22:29 - Konfirmohen 23 viktima nga tërmeti i orëve të para të ditës së sotme.

Ora 22:09 - Basha falenderon njësitë speciale nga Kosova dhe Greqia: Angazhim me zemër për të shpëtuar njerëzit me pajisjet e duhura

Në Thumanë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takoi përfaqësues të njësive speciale të shpëtimit.

“Ju falenderoj shumë për ndihmën. Ju jemi mirënjohës për angazhimin me zemër për të shpëtuar jetën e njerëzve në nevojë me pajisjet e duhura dhe përkushtim të madh”, u shpreh Basha.

Përpara se të takonte përfaqësuesit e njësive speciale nga Kosova dhe Greqia, zoti Basha u takua me banorë të Thumanës, të strehuar në një kamp të improvizuar në një fushë futbolli atje.

Përmbledhje ora 22:00

Një tërmet i fuqishëm më magnitudë 6,3 goditi Shqipërinë rreth orës 3:54 të mëngjesit të së martës, ndërsa një tjetër me magintudë 5,5 tronditi vendin pak pas orës 07:00. Sizmologët thanë se i pari ishte tërmeti më i fortë që ka goditur vendin që nga viti 1926.

Ashtu si atëherë, edhe tërmeti i sotëm epiqendrën e kishte në Durrës. Bilanci deri në orën 22:00 është tragjik, ku shifrat zyrtare flasin për 22 viktima, ndërsa ka ende persona që kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Durrësi është pa dyshim vendi më i goditur, por edhe njësia administrative Thumanë pranë Fushë-Krujës, ku edhe është shënuar edhe numri më i madh i viktimave.
2000-3000 qytetarë kanë vendosur që ta kalojnë natën në tendat e ngritura në aneksin e stadiumit të Durrësit, “Niko Dovana”.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama premtoi se “familjet që kanë mbetur pa strehë nga tërmeti do të strehohen në hotelet e Durrësit, Kavajës dhe Vlorës”.

Ndërsa ministrja Balluku konfirmoi se misioni i kërkim-shpëtimit do të vijojë dhe gjatë natës dhe nuk do të ndërpritet me shpresën për të shpëtuar ndonjë të mbijetuar tjetër nën rrënoja.

Ora 21:48 - Nesër në orën 07:00, mbledhje e jashtëzakonshme qeverie.

Ora 21:44 - Shkon në 22 bilanci i viktimave të tërmetit.

Ora 21:15 - Meta: Kërkimet për të mbijetuar do të vazhdojnë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një pronocim nga Durrësi, ku po ndjek nga afër operacionin e nxjerrjes nga rrënojat të Klajdi Qatos, deklaroi se po përballemi me “një fatkeqësi që kërkon angazhim të palodhur sepse ka njerëz nën rrënoja të cilët kërkojnë ndihmë”.

“Sot jemi në momente mjaft dramatike për shkak të kësaj fatkeqësie natyrore. Është një fatkeqësi që kërkon angazhim të palodhur sepse ka njerëz nën rrënoja të cilët kërkojnë ndihmë, siç është rasti këtu, ku po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme. Është një punë që nuk po bëhet vetëm këtu, por edhe në Kënetë, Thumanë dhe do të vazhdojë edhe në orët në vazhdim. Shpresojmë që së bashku do të arrijmë që të minimizojmë pasojat, që të rikuperojmë më pas këto dëme materiale. Kërkimet do të vazhdojnë, dhe është pozitive që nga Greqia po na ndihmojnë. Puna do të vijojë pa u ndalur”, tha Meta.

Ora 20:42 - Presidenti Macron, mesazh në gjuhën shqipe: Jemi pranë Shqipërisë

Presidenti i Francës, Emannuel Macron shprehu ngushëllimet për vdekjen e 21 personave si pasojë e tërmetit që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së martës.

Kreu i Elysse deklaroi se Franca ndodhet pranë Shqipërinë në këto momente të vështira dhe se do të asistojë në operacionet e kërkim shpëtimit.

“Shpreh afërsinë me viktimat e tërmetit që goditi vendin tuaj, me familjet në zi si dhe me personat e dëmtuar. Franca është sot solidare me Shqipërinë. Ne po dërgojmë menjëherë ekipe të sigurisë civile, së shpejti edhe specialistë të forcave zjarrfikëse, me qëllim që të marrin pjesë në operacionet e shpëtimit”, shkruan Macron.

Ora 20:25 - Emergjenca? Rama: Nesër do të mendojmë për të gjitha

Kryeministri Rama gjatë konferencës për shtyp në ambientet e Spitalit të Traumës iu përgjigj dhe interesit të gazetares së A2, Ornela Joti se a duhet të ishte shpallur gjendja e emergjencës për shkak të situatës së krijuar.

https://a2news.com/2019/11/26/a-duhej-shpallur-emergjenca-rama-neser-do-te-mendojme-per-te-gjitha/

Ora 20:19 - 2000-3000 qytetarë kanë vendosur që ta kalojnë natën në tendat e ngritura në aneksin e stadiumit të Durrësit.

Ora 19:58 - Nxirren nga rrënojat dy të mbijetuar në Thumanë.

Ora 19:53 - Ministria e Mbrojtjes bën bilancin e parë të tërmetit

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një deklaratë lidhur me tërmetin e fuqishëm që goditi sot Shqipërinë dhe që deri tani ka shkaktuar 21 viktima.

https://a2news.com/2019/11/26/ministria-e-mbrojtjes-ben-bilancin-e-pare-te-termetit/

Ora 19:45 - Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Manastirliu kanë mbërritur në Spitalin e Traumës për të parë nga afër situatën dhe vizituar personat e lënduar nga tërmeti.

Ora 19:05 - Një tjetër trup i pajetë është gjetur nën rrënoja në Durrës. Shkon në 21 bilanci i viktimave. Ndërkohë, 44 persona kanë mbijetuar.

Ora 18:56 - Rama: Familjet e mbetura pa çati do të strehohen në hotele

Kryeministri Edi Rama njoftoi në rrjetet sociale se familjet që kanë mbetur pa strehë nga tërmeti që shkaktoi në vendin tonë 20 viktima dhe rreth 600 të plagosur do të strehohen në hotelet e Durrësit, Kavajës dhe Vlorës.

“Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, por edhe të mësojnë në kushte optimale”, shkruan Rama.

Ora 18:47 - FSHF ndërpret aktivitetin futbollistik

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që është krijuar pas tërmetit që ka goditur vendin tonë ditën e sotme, i gjithë aktiviteti futbollistik për këtë javë është ndërprerë.

“Sytë dhe zemrat tona janë pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre dhe solidarizohemi me të lënduarit nga kjo ditë e vështirë. Sektori Garave në FSHF do të njoftojë në ditët në vazhdim datat e reja për këtë javë të spostuar”, lexohet në njoftimin e FSHF-së.

Ora 18:20 - Të tjera lëkundje tërmeti të forta.

Dy lëkundje tërmeti, me epiqendër në Adriatik, janë ndjerë në Tiranë e Durrës. Tërmeti i parë ishte me magnitudë 4, ndërsa i dyti, pak minuta më pas, ishte me magnitudë 3,7.

Ora 18:15 - Nuk ka qetësi, tjetër lëkundje tërmeti

Të tjera lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë disa minuta më parë në Tiranë e Durrës. Lëkundja ka qenë me magnitutë 4 e shkallës Rihter, me epiqendër në Detin Adriatik dhe thellësi 80 kilometër.

Ora 18:12 - Bashkia e Tiranës, 100 milionë lekë për Thumanën

Bashkia e Tiranës, përveç ndihmës me mjete dhe forca në njerëz të dërguara në zonat e prekura në operacionet e shpëtimit në terren, Këshilli Bashkiak në mbledhjen e sotme miratoi një fond ndihme financiare prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës dhe në mënyrë të posaçme për Thumanën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës në fjalën e tij theksoi se Tirana ngriti sot flamurin e solidaritetit me të gjithë ata që në këto momente janë në vështirësi nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të sotëm.

https://a2news.com/2019/11/26/bashkia-e-tiranes-100-milione-leke-per-thumanen/

Ora 18:05 - Edhe dy trupa të tjerë të pajetë nxjerrë në Thumanë. 20 viktima në total.

Ora 17:59 - Qeveria do të shpallë datën 27 Nëntor ditë zie kombëtare.

Ora 17:31 - Gazetarja e A2, Ornela Joti raporton se deri tani në Spitalin e Traumës në Tiranë kanë marrë shërbim mbi 230 persona, 9 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Aktualisht numri i të shtruarve në këtë spital është 35 ndërsa 3 prej të lënduarve janë më rëndë pasi kanë politrauma. Në Spitalin e Traumës ka persona të shumtë që kërkojnë për familjarët e tyre pasi kanë humbur kontaktet.

Ora 17:28 - Nga rrënojat në pallatin në Thumanë po nxjerrin një trup të pajetë.

Ora 17:07 - Misioni i kërkim-shpëtimit do të vijojë edhe gjatë natës

Ministrja Balluku konfirmon se misioni i kërkim shpëtimit do të vijojë dhe gjatë natës dhe nuk do të ndërpritet me shpresën për të shpëtuar ndonjë të mbijetuar tjetër nën rrënoja. Ministrja e Infrastrukturës deklaroi se në minutat në vijim këtij misioni do t’i bashkohen dhe ekipet e huaja që kanë ardhur në orët e fundit për ndihmë.

Ora 17:04 - Flamuri shqiptar në NATO ulet në gjysmështizë

Flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë në selinë e NATO-s në Bruksel. Me anë të një postimi në Twitter, NATO shkruan: “Flamujt e aleatëve tanë, Shqipëri dhe Francë janë ulur në gjysmë-shtizë në seli, pas tërmetit në Shqipëri dhe për të nderuar ushtarët e rënë francezë në Mali”.

Ora 17:00 - Kryeministri Edi Rama është larguar nga Thumana dhe ka mbërritur sërish në zonën e Durrësit dhe pikërisht në banesën e shkatërruar të familjes Lala. Deri tani raportohet se nga kjo familje 3 persona kanë humbur jetën ndërsa 5 të tjerë janë ende nën rrënoja.

Ora 16:49 - Psikologia: Si të mbrojmë fëmijët nga goditja psikologjike

Psikologia Arjana Rreli, në një lidhje me A2, dha disa këshilla për mënyrën se si duhen mbrojtur fëmijët nga goditja psikologjike dhe ankthi që i shkaktojnë tërmete si ai që goditi vendin tonë ditën e sotme.

“Nëse fëmijët tanë shikojnë alarm te ne, fëmijët i amplifikojnë mekanizmat e tyre të alarmit. Ne duhet t’i sigurojmë për mbrojtjen tonë dhe t’i shpjegojmë fenomenin jo me emocione të tejskajshme. Duhet t’i japim mundësi sot që të luajnë sa më tepër dhe të lodhen duke luajtur sepse kështu shpezojnë energji”, shpjegoi psikologia.

https://a2news.com/2019/11/26/psikologia-si-te-mbrojme-femijet-nga-goditja-psikologjike/

Ora 16:30 - Në pallatin më të dëmtuar në Thumanë vazhdon puna e kërkim-shpëtimit, edhe pse tashmë ka rënë errësira.

Mendohet se janë 3 persona nën rrënoja.

Ora 16:12 - Kanë filluar të zbresin misionet e huaja të Emergjencave Civile të shteteve te huaja në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Avion me grup ekspertësh të Emergjencave Civile Greke dhe avion me ekspertë të Sigurisë Civile Franceze, sapo janë ulur në pistë.

Ora 16:06 - Nxirret një tjetër trup i pajetë në Mira Mare.

Ora 16:03 - Drejtoresha e Spitalit të Durrësit: 32 persona të shtruar, jashtë rrezikut për jetën

Në Spitalin e Durrësit janë paraqitur 252 persona të cilët kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa 32 janë shtruar.

Dëmtimet kryesore kanë qenë fraktura në pjesë të ndryshme të trupit.

Drejtoresha e Spitalit të Durrësit tha për A2 se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe gjendja e tyre është e mirë.

“Tani po presim ata për të cilët po punohet për t’i nxjerrë nga rrënojat. 4 i këmi dërguar në Tiranë për trajtim”, tha drejtoresha.

Ora 15:52 - Efektivë të FSK në operacion kërkim-shpëtimi në Durrës e Thumanë.

Ora 15:50 - Kryeministri Edi Rama në Thumanë, në zonën më të prekur nga tërmeti.

Ora 15:41 - Spitali Durrës: 210 të lënduar dhe 31 të shtruar.

Ora 15:32 - Një nga personat nën rrënoja në zonën e ish-Kënetës ka dërguar dy mesazhe telefonike duke thënë se është gjallë.

Ora 15:30 - Përmbledhje

Një tërmet i fuqishëm më magnitudë 6,3 goditi Shqipërinë rreth orës 3:54 të mëngjesit të së martës, ndërsa një tjetër me magintudë 5,5 tronditi vendin pak pas orës 07:00. Sizmologët thanë se i pari ishte tërmeti më i fortë që ka goditur vendin që nga viti 1926.

Ashtu si atëherë, edhe tërmeti i sotëm epiqendrën e kishte në Durrës. Bilanci deri në orën 15:30 është tragjik, ku shifrat zyrtare flasin për 16 viktima, ndërsa shumë persona të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Durrësi është pa dyshim vendi më i goditur, por edhe njësia administrative Thumanë pranë Fushë-Krujës, ku edhe është shënuar edhe numri më i madh i viktimave.

Nga tërmeti janë dëmtuar shumë godina, pallate dhe shtëpi, ndërsa nuk kanë shpëtuar edhe objekte historike e kulturore, si kalaja e Krujës, e Durrësit, por edhe ajo e Prezës.

Ora 15:25 - Konfirmohet një tjetër trup i pajetë në Durrës. Shkon në 16 bilanci i viktimave të tërmetit.

Ora 15:17 - Shpëtohet edhe një djalë i ri te Mira Mare.

Ora 15:14 - KF Tirana ofron fushën pranë stadiumit “Selman Stërmasi” për personat në nevojë.

Ora 15:05 - VIDEO me dron | Pasojat shkatërrimtare të tërmetit në Thumanë

https://youtu.be/2zSnqhueZHs

Ora 15:03 - Mbërrin në Rinas ekipi i ekspertëve të Emergjencave Civile greke.

Ora 14:56 - Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, shkruan në Twitter: "I vetmi ngushëllim për tragjedinë e sotme është heroizmi i pashoq i punonjësve të Policisë, të Ushtrisë, Zjarrfikseve, Shërbimit shëndetësor, vullnetarëve e shumë të tjerëve. Mirënjohje pa fund për secilin".

Ora 14:44 - Te ish-Këneta u nxorr nga rrënojat një 16-vjeçar i mbijetuar.

Ora 14:40 - Shpëtohet një tjetër banor në Durrës. Shkon në 42 numri i të shpëtuarve.

Ora 14:29 - Në Thumanë dhe Durrës ka nisur montimi i mbi 200 çadrave të para për strehimin e familjeve.

Ora 14:15 - Kosova jep 500 mijë euro ndihmë për të prekurit nga tërmeti.

https://a2news.com/2019/11/26/kosova-jep-500-mije-euro-ndihme-per-te-prekurit-nga-termeti/

Ora 14:08 - Nxirren edhe dy trupa të pajetë nga rrënojat në zonën e ish-Kënetës

Ora 14:05 - Të tjera lëkundje tërmeti ndihen në Durrës dhe Tiranë

Të tjera lëkundje tërmeti janë ndjerë në Durrës dhe Tiranë.Lëkundjet u shënuan në orën 14:05. Lëkundjet e fundit ishin me magnitudë 5 të shkallës Rihter me epiqendër në Kepin e Rodonit.

Ora 13:59 - Konfirmohen zyrtarisht 15 viktima pas dy trupave të gjetur në Durrës.

Ora 13:57 - Flamuri Kombëtar në Institucionin e Presidentit të Republikës ulet në gjysmë shtizë

https://www.instagram.com/p/B5VEN4jAF94/?utm_source=ig_web_copy_link

Ora 13:54 - Rama: Plaga e madhe e sotme do të na bëjë më të fortë nesër

Kryeministri Edi Rama iu drejtua popullit shqiptar me anë të një videoje të postuar në rrjetet sociale, duke shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe duke kërkuar kurajo, durim, solidaritet dhe sa më shumë qetësi.

https://a2news.com/2019/11/26/rama-plaga-e-madhe-e-sotme-do-te-na-beje-me-te-forte-neser/

Ora 13:40 - Kryeministri grek: Në këto orë të vështira, mendimet tona shkojnë për popullin shqiptar.

https://twitter.com/tsipras_eu/status/1199277155747794944

Ora 13:25 - Në Spitalin e Traumës janë sjellë edhe dy viktima: Arjela Lala, 5 vjeç dhe Selvie Lala, 70 vjeç.

Ora 13:24 - Tërmeti i fuqishëm, Maqedonia e Veriut: Gati t’ju ndihmojmë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i ka telefonuar Presidentit të Republikës Ilir Meta, ku i shprehu Kreut të Shtetit shqiptar ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura si pasojë e tërmetit që goditi mëngjesin e sotëm vendin tonë.

https://a2news.com/2019/11/26/termeti-i-fuqishem-maqedonia-e-veriut-gati-tju-ndihmojme/

Ora 13:15 - Mbërrijnë në Thumanë në mbështetje të ekipeve shqiptare të kërkim-shpëtimit, ekipet e FSK.

Ora 13:08 - Në Durrës, nxirret nga rrënojat një tjetër e mbijetuar.

Ora 12:53 - Nxirret nga rrënojat një tjetër i mbijetuar në Thumanë.

Ora 12:52 - Humb jetën pedagogu Bajram Hajdarmataj, Meta: Ngushëllime Policisë dhe Forcave të Armatosura

Presidenti Ilir Meta u ka shprehur ngushëllime përfaqësuesve të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura për humbjen e jetës të kolegut dhe pedagogut të nderuar, Bajram Hajdarmataj.

“Me keqardhje të madhe u shpreha sot përfaqësuesve të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura, nga Kavaleshenca e Ministrisë së Brendshme në Durrës, ngushëllimet më të thella e të sinqerta, për humbjen e jetës në krye të detyrës të kolegut dhe pedagogut të nderuar, Bajram Hajdarmataj. Jam pranë familjarëve, miqve dhe kolegëve të Tij në këto momente tepër të rënda për ta”, shkruan Meta në Facebook.

Forcat e Ushtrisë, bashkë me Forcat Speciale dhe ato të Policisë nxorën nga rrënojat trupin e Policit Barjam Hajdarmataj. Hajdarmataj është nxjerrë i pajetë nga rrënojat e godinës së rrënuar të Kavalishencës, një repart në varësi të Ministrisë së Brendshme, nga vetë kolegët e tij. Hajdarmataj, ka shërbyer si Pedagog në Akademinë e Sigurisë, dhe ka qenë pjesë e shërbimit edhe në Kavalishencës së Durrësit.

Ora 12:37 - Nga zona e vilës Palma është nxjerrë gjallë nga rrënojat një 25-vjeçar.

Ora 12:26 – Lajme të këqija nga Thumana. Sapo janë nxjerrë tre trupa të pajetë, mes tyre edhe një vajzë 5-vjeçare.

Ora 12:20 - Ka shkuar në 13 bilanci i viktimave të tërmetit.

Ora 12:05 - Ka shkuar në 11 të vdekur bilanci i tërmetit, pasi një tjetër person është nxjerrë i pajetë nga rrënojat e pallatit të shembur në Thumanë.

Ora 11:48 - Mbyllen për dy ditë shkollat

Shkollat, kopshtet dhe çerdhet do të qëndrojnë të mbyllura për dy ditë, sipas një urdhri të ri të lëshuar nga Ministria e Arsimit, pas tërmetit me magnitudë 6,3 që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së martës dhe aktivitetit sizmik të vazhdueshëm me paslëkundje të tjera që janë ndjerë vazhdimisht gjatë të martës.

https://a2news.com/2019/11/26/foto-nga-termeti-me-i-fuqishem-qe-prej-vitit-1926-qe-tronditi-shqiperine/

Duke qenë se e enjtja dhe e premtja janë ditë pushimi për shkak të Festës së Pavarësisë dhe asaj të Çlirimit, institucionet arsimore parauniversitare do të qëndrojnë të mbyllura gjatë gjithë javës.

Ora 11:47 - Presidenti Meta bën apel për ndihmë

Ora 11:25 - Emergjencat Civile: 28 persona janë shpëtuar deri tani në Durrës e Thumanë dhe janë dërguar për asistencë mjekësore.

Ora 11:15 - Emergjencat Civile konfirmojnë 10 persona të vdekur

Një tjetër person i pajetë është nxjerrë nga rrënojat e pallatit të shembur në Thumanë, po ashtu i pajetë është nxjerrë edhe nga rrënojat në Durrës, duke e çuan në 10 persona të vdekur bilancin e tërmetit tragjik që goditi vendin mëngjesin e së martës.

11:00 - Nxirret gjallë një person nga rrënojat në Thumanë, ende 5 të bllokuar

Forcat e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin të gjallë nga rrënojat një 57-vjeçar nga pallati i shembur në Thumanë.

Ai është Bert Cara, 57 vjeç, banor i pallatit, i cili është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës. Dyshohet se ende nën rrënoja të këtij pallati gjenden edhe 5 persona të tjerë.

Ora 10:48 - Manastirliu në Durrës: Po trajtohen 600 të lënduar në spitale, jemi në gatishmëri

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se vetëm në Durrës po marrin shërbim në spitale 176 qytetarë, ndërkohë që në kompleks “në spitalet e Tiranës, Durrësit, Krujës, Kurbinit dhe Lezhës kanë marrë shërbim mbi 600 të lënduar si pasojë e tërmetit”.

Sipas ministres, ekipet mjekësore aktualisht janë në gjendje gatishmërie të plotë, dhe janë marrë masa për furnizimin me medikamente dhe materiale mjekësore.

10:44 - Pamje nga godina 4-katëshe e shembur në Durrës, të bllokuar 5 anëtarë të një familje

Tërmeti i fuqishëm ka shembur edhe një ndërtesë 4-katëshe në Durrës.

Deri tani janë nxjerrë dy persona të pajetë nga rrënojat e kësaj banese, ndërsa është nxjerrë i gjallë një fëmijë. Aktualisht, dyshohet se 5 anëtarë të një banese janë ende të bllokuar në këtë banesë. Grupet e shpëtimit e kanë të vështirë për të ndërhyrë për momentin pasi ndërtesa vazhdon të shembet.

10:35 - Reagimi i SHBA

“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet më të thella për të gjitha familjet dhe komunitetet e prekura nga tërmeti. Shtetet e Bashkuara janë pranë miqve tanë në Shqipëri, ashtu si amerikanët dhe shqiptarët kanë qëndruar gjithnjë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira”.

Ora 10:15 – PËRMBLEDHJE E SITUATËS SË DERITANISHME PAS TËRMETIT TË FUQISHËM

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,3 ka tronditur Shqipërinë rreth orës 3:54 minuta të mëngjesit të sotëm dhe një tjetër me magnitudë 5,5 pak pas orës 7:00 të mëngjesit. Sizmologët thonë se është tërmeti me i fortë që ka goditur vendin tonë qe nga viti 1926.

8 të vdekur dhe qindra të plagosur është bilanci paraprak i kësaj tragjedia që ka goditur vendin. Tërmeti i kësaj të marte, ashtu si ai i shtatorit, epiqendrën e ka në Durrës.

Tërmeti është paralajmëruar nga disa dhjetëra lëkundje që kanë nisur pasditen e së hënës deri sa kanë nisur dridhjet e forta në orën 00:24 ku deri në orën 4:00 të mëngjesit janë regjistruar më shumë se 6 lëkundje, të cilat kishin dhe dhjetëra pasgoditje të vogla raportojnë sizmologët.

Ora 10:11 - Gjendet trupi i pajetë i një vajze nën rrënojat e hotelit në Durrës

Trupi i pajetë i një vajze është nxjerrë nga rrënojat e hotelit të shembur nga tërmeti në Durrës. Mësohet se vajza është nga Elbasani dhe ndodhej në Durrës atje ku punonte.

Bilanci i tërmetit të fuqishëm ka shkuar tashmë në 8 të vdekur dhe qindra të plagosur.

Ora 10:05 - Tërmeti i fuqishëm, Ushtria e Kosovës drejt Shqipërisë

Forca të Ushtrisë së Kosovës janë nisur në drejtim të vendit tonë për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmetet e fuqishme që goditën vendin mëngjesin e së martës.

Ora 10:00 - Tërmeti dëmton edhe godinën e spitalit të Laçit

Tërmeti ka dëmtuar edhe godinën e spitalit të Laçit. Drejtues të spitalit pranojnë rrezikun që paraqet godina, e cila ka pësuar plasaritje pas tërmetit.

Ora 09:57 - Skuadra të specializuara emergjencash janë nisur nga Serbia dhe Mali i Zi

Kryeministria ka bërë të ditur se skuadra të specializuara emergjencash janë nisur drejt vendit tonë nga Serbia dhe Mali i Zi.

“Kryeministri i Malit të Zi, Markoviç, njoftoi se një skuadër speciale mbështetje për të dëmtuarit po niset drejt Shqipërisë dhe po njësoj, një tjetër skuadër mbështetëse nga Serbia e specializuar në raste emergjencash, po niset drejt vendit tonë, më komunikoi Presidenti Vuçiç”, njofton Kryeministri Rama.

Ora 9:48 – Në zonën e ish-Kënetës në Durrës është shembur një godinë katër katëshe. Sipas raportimeve paraprake prej aty janë nxjerrë dy trupa të pajetë, ndërsa një person është nxjerrë i gjallë. Gjashtë persona të tjerë dyshohet të jenë ende brenda rrënojave.

Ora 09:44 – Tre persona të mbetur nën rrënoja në pallatin e shembur në Thumanë kanë arritur të komunikojnë me familjarët e tyre. Forcat e shpëtimit po punojnë për largimin e materialeve inerte për të bërë të mundur nxjerrjen e tyre sa më shpejt.

Ora 09:37 – Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka konfirmon se numri i viktimave nga tërmeti ka shkuar në 7. Viktima është nga Lezha dhe në momentin e tërmetit është aksidentuar me makinë, pasi është çarë rruga.

09:15 - Nxirret gjallë nga rrënojat një djalë në Thumanë, shpëtohet një e moshuar në Durrës

Grupet e shpëtimit vazhdojnë punën intesivisht për nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja në Durrës dhe në Thumanë.

Fatmirësisht një djalë rreth 30-vjeç është nxjerr gjallë nga rrënojat. Po ashtu është shpëtuar edhe një e moshuar nga rrënojat e pallatit të rrëzuar në Durrës.

08:58 - Italia dhe Greqia nisin skuadrat speciale

Italia dhe Greqia kanë nisur me avion skuadra speciale për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit. Në një postim në Twitter, Kryeministri Edi Rama shkruan: “Të gjithë miqtë e Shqipërisë po aktivizohen me shpejtësi. Kryeministri Conte e kryeministri Mitzotakis nisën avionët me skuadrat speciale. Presidenti Macron e Presidenti Erdogan më shprehën gatishmërinë për çdo nevojë. Ambasadat e BE/SHBA kanë njoftuar qysh herët gatishmërinë”. Drejt zonave emergjente janë nisur edhe skuadra speciale nga Kosova, njoftoi Rama, pas një bisede me Presidentin Hashim Thaçi. “Janë nisur skuadrat speciale të FSK drejt zonave të krizës emergjente për nxjerrjen e njerëzve ende nën rrënoja. Vazhdojnë kontaktet, ndërkohë që në terren po bëhet gjithçka e mundur në pikat ku kushtet janë më të rënda”, shkruan Rama.

08:45 - Meta telefonon Haradinajn, i kërkon ndihmë me forca xheniere

Presidenti Ilir Meta ka telefonuar Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke i kërkuar ndihmë me forca xheniere dhe ekipe emergjence për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat dhe godinat e shembura!

08:20 – Janë nxjerrë edhe dy persona të tjerë ta pajetë nga rrënojat e pallatit 6-katësh të shembur në Durrës, duke e çuar në 6 persona të vdekur bilancin nga tërmeti i fuqishëm.

08:11 - Mbyllet mbikalimi i Shkozetit në Durrës

Policia ka mbyllur mbikalimin në Shkozet për shkak se është dëmtuar pas tërmetit të sotëm. Aktualisht nuk lejohet qarkullimi.

08:05 - Shtabi i Emergjencave Civile është ngritur pranë stadiumit të qyteti të Durrësit.

07:57 - Konfirmohen 4 persona të vdekur, mbi 150 të plagosur

Emergjencat Civile kanë konfirmuar katër persona të vdekur deri tani nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin në orën 03:39 të së martës. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës. Po ashtu, mbi 150 persona raportohen të lënduar.

07:27 - Edi Rama reagon në Twitter

“Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura. Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë. Është një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje SE BASHKU. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situatë”, shkruan Rama.

07:13 - Sërish tërmet i fuqishëm, magnituda 6 i shkallës rihter

Tërmeti i fundit është regjistruar në orën 07:10 minuta dhe ka qenë me magnitudë 6 i shkallës rihter.

https://youtu.be/478z80QxIX0

07:00 - Nxirret një person i pajetë nga pallati 6-katësh i shembur në Durrës.

06:57 - Tjetër lëkundje tërmeti

Një tjetër lëkundje tërmeti është ndjerë në orën 06:57 minuta, e cila ka qenë 4.6.

06:56 - Meta: E kam paralajmëruar rrezikun e tërmeteve, Shqipëria e tronditur

“Ka lëndime të jashtëzakonshme. Shpresojmë të mos ketë viktima, pasi ka edhe të plagosur që janë në gjendje të rëndë. Të verifikohet nëse ka qytetarë që kërkojnë ndihmë. Dua të falënderoj personelin mjekësor këtu që është në gatishmëri të plotë. Të gjithë duhet të bëjmë detyrën, pasi Shqipëria është e tronditur shumë rëndë. E kam paralajmëruar prej kohësh rrezikun e goditjes së Shqipërisë nga tërmete serioze, por sot është e rëndësishme të jemi në ato zona ku janë shembur godinat dhe të sqarojmë nëse ka njerëz që kanë nevojë për ndihmë”, tha Meta.

06:41 - Presidenti i Republikës, Ilir Meta, po mbërrin në Spitalin e Traumës në Tiranë.

06:35 - Një person dyshohet se ka humbur jetën në Kurbin pasi është hedhur nga një banesë nga paniku.

06:30 - Sizmologu: Goditja më e madhe 6.3 rihter, pasgoditjet janë normale

Sizmologu Rrapo Ormeni, në një lidhje telefonike në A2, konfirmoi se tërmeti i orëve të parë të së martës ishte me magnitudë 6.3 i shkallës rihter.

https://a2news.com/2019/11/26/situate-e-rende-ne-thumane-shemben-dy-pallate-banore-nen-rrenoja/

Ai ka bërë të ditur se tërmeti i parë është shoqëruar nga disa lëkundje të tjera relativisht më të lehta, për të cilat shprehur se është normale. “Një tërmet i fuqishëm shoqërohet gjithmonë nga pas lëkundje. Kjo është normale”, thotë ai, ndërsa konfirmon se goditja më e madhe ka kaluar.

06:20 - Shembet godina 6-katëshe në Durrës, dyshohet për 15 persona të bllokuar nën rrënoja

Nga shembja e një godine 6 katëshe në Durrës, policia ka bërë të ditur se dyshohet për të paktën 15 persona të bllokuar në të.

06:15 - Ministrja Manastirliu: Mbi 150 persona në spitale

“Në spitalin e Traumës kemi më shumë se 70 të lënduar, në Durrës mbi 50, ndërsa rreth 20 persona kanë mbërritur në QSUT. Po marrin të gjitha shërbimet e nevojshme. Pjesa më e madhe kanë dëmtime në gjymtyrë, por edhe probleme me ankthin. Jemi në gatishmëri të plotë”, tha ministrja e Shëndetësisë.

06:10 - 300 efektivë të Forcave të Armatosura po mbërrijnë në Durrës dhe Thumanë, ku raportohen dëmet më të mëdha

05:42 - Pamje nga Durrësi, shumë ndërtesa të shembura, dyshohet për disa të bllokuar.

Ora 05:40 - Durrësi është i zhytur në terr, pa energji elektrike.

Ora 05:35 - Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, është nisur drejt Durrësit, ku dëmet mendohet se janë më të mëdha.

Një tërmet i fuqishëm goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë.

Tërmeti ishte i magnitudës 6.3 dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit dhe 10 km në veri të Durrësit.

Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij.Në Durrës raportohet për dëme më të mëdha, ndërsa thuajse në të gjithë qytetet njerëzit kanë dalë në rrugë. (A2 Televizion)

Tiranë. Video: LSA
https://a2news.com/2019/11/26/situate-e-rende-ne-thumane-shemben-dy-pallate-banore-nen-rrenoja/
https://a2news.com/2019/11/26/meta-e-kam-paralajmeruar-rrezikun-e-termeteve-shqiperia-e-tronditur/

A2 CNN Livestream

Latest Videos