Legjenda Roger Federer promovon tenisin në Shqipëri

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2019, 15:19 | Aktualitet
Legjenda Roger Federer promovon tenisin në Shqipëri

1200 fëmijë të moshave nga 6 deri në 15 vjeç janë përfitues të një programi të financuar nga Ambasada Zvicerane në Tiranë dhe sektori privat, i cili promovon sportin e tenisit, si një formë e shëndetshme aktiviteti fizik për të luftuar obezitetin.

Në bashkëpunim me Shoqatën Tenis Tirana dhe Bashkinë e Tiranës, projekti po vihet në zbatim në 3 shkolla të kryeqytetit. Në këtë kuadër, në ambientet e shkollës “Dora Distria”, Ambasada e Zvicrës, Bashkia Tiranë dhe Shoqata Tenis Tirana organizuan aktivitetin “Fëmijë të shëndetshëm nëpërmjet sportit”, me pjesëmarrjen e ambasadorit të Zvicrës, zoti Adrian Maître dhe kryetarit të Bashkisë, z. Erion Veliaj.

Pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti ishte edhe një videomesazh surprizë nga kampioni botëror i tenisit Roger Federer, dërguar posaçërisht për të pasionuarit e tenisit dhe fëmijët shqiptarë. Ishte vetë Ambasadori Maître, ai që e njoftoi mesazhin surprizë të Roger Federer, i cili, me lojën e tij të jashtëzakonshme, dominoi sportin e tenisit në shekullin XXI.

https://www.instagram.com/p/B5SqccWgtvK/

“Përshëndetje miq dhe dashamirës të tenisit në Shqipëri, dëgjova që Shoqata e Tenisit Tirana po mbështet fëmijët dhe Zvicra po mbështet këtë nismë gjithashtu. Mendoj që sportet dhe tenisi janë një gjë e mrekullueshme. Siç e dini, kjo më ka bërë personin që jam sot. Kam mësuar kaq shumë duke bërë këtë. Jam i sigurt se edhe ju do të mësoni. Kështu që kaloni mirë, bëhuni lojtarë tenisi sa më të mirë, bëhuni person sa më i mirë dhe shijojeni”, thotë kampioni zviceran në mesazhin e tij.

Me 20 fitore Grand Slam në kampionatet e meshkujve, Roger Federer mban rekordin për më shumë fitore në historinë e sportit. Në fund të aktivitetit të zhvilluar në kryeqytet, Ambasadori Maître dhe Kryetari Veliaj shpërndanë certifikatat për fëmijët pjesëmarrës në program. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos