
Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një plan mbështetës prej 900 miliardë dollarësh për familjet dhe bizneset amerikane të goditura rëndë nga pandemia e koronavirusit.
Miratimi i planit nga Dhoma e Përfaqësuesve, dhe më pas Senati, hap rrugën për ratifikim nga Presidenti Donald Trump, i cili pritet të nënshkruajë paketën në ligj.
Senatorët miratuan projektligjin të hënën vonë, disa orë pasi ai u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ndihma përfshin pagesa direkte për shumë amerikanë dhe mbështetje për bizneset dhe programet e papunësisë. Paratë do të financojnë operacionet e qeverisë gjatë nëntë muajve të ardhshëm. Në Dhomën e Përfaqësuesve projektligji kaloi me një votim prej 359 pro dhe 53 kundër, në Senat kaloi me 92-6.
Shumë programe lehtësimi të Covid-19 pritej të skadonin në fund të muajit, dhe rreth 12 milionë amerikanë rrezikonin të humbnin aksesin në përfitimet e papunësisë.
Në gati 5600 faqe, legjislacioni u përshkrua nga agjencia e lajmeve Associated Press si "fatura më e gjatë në kujtesë".
Stimuli përfshin pagesa të njëhershme prej 600 dollarësh për shumicën e amerikanëve dhe do të rrisë pagesat e papunësisë me 300 dollarë në javë, duke zgjatur datat e skadimit të programeve të papunësisë deri në pranverë.
Ai gjithashtu përmban më shumë se 300 miliardë dollarë mbështetje për bizneset dhe para për shpërndarjen e vaksinave, shkolla dhe qiramarrësit që përballen me dëbimin.
Shtetet e Bashkuara kanë tejkaluar 18 milionë raste të infektimit nga Covid-19, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, ndërsa numri i vdekjeve që nga fillimi i pandemisë është 319 190. (A2 Televizion)