
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka vizituar mbrëmjen e djeshme disa punonjës të policisë së shtetit që qëndrojnë në krye të detyrës dhe në këto ditë të vështira, ku e ka futur vendin pandemia e koronavirusit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i opozitës deklaroi se mbështet kërkesën e Sindikatës së Policisë për një shpërblim suplementar, ashtu si dhe mjekët.
“Mbështes plotësisht kërkesën e drejtë të Sindikatës së Policisë për shpërblim suplementar për punonjësit e policisë. Ashtu si çdo qytetar i këtij vendi jam dëshmitar për kushtet e vështira në të cilat ata po punojnë. Pas personelit shëndetësor, punonjësit e policisë janë në vijën e parë dhe ndër më të ekspozuarit ndaj rrezikut. Ata janë në shërbim me dhe pa orar në të gjithë vendin. I bëj thirrje qeverisë që të gjejë mundësinë për të akorduar shpërblim financiar për punonjësit e policisë në krye të detyrës, dhe u kërkoj qytetarëve bashkëpunim të plotë dhe mirëkuptim e mbështetje për punonjësit e policisë në mënyrë që bashkarisht dhe duke u mbështetur tek njeri-tjetri ta tejkalojmë këtë situatë me sa më pak dhimbje”, shkruan Basha në Facebook. (A2 Televizion)