
Berberët, taksistët, lavazhet, serviset e makinave, rrobaqepësitë, agjencitë turistike, linjat e transportit dhe biznese të tjera të vogla, janë kategori që do të jenë pjesë e paketës së zgjeruar për të marrë “pagën e luftës” pas 15 prillit.
Kryeministri Edi Rama, përmes pyetje-përgjigjeve “online”, njoftoi se si do të procedohet edhe me qiratë: “Ata të cilët ia kanë dhënë dikujt tjetër për ta dhënë me qira dhe prej saj marrin të ardhurat, deri në 10 prill duhet ta deklarojnë në tatime dhe pastaj, të gjithë ata individë do t’i përfshijmë në paketën e zgjeruar”.
Për të larguarit nga puna në kohën e luftës, kryeministri siguroi mbështetje: “Ju jeni jetimë lufte dhe si jetimë lufte në këtë moment nuk mund t’ju lëmë vetëm”.
Por, kryeministri Edi Rama përjashton rreptësisht çdo ide për të mos paguar taksat dhe energjinë elektrike. Ato janë të ardhurat që mbajnë në këmbë shtetin, e kësisoj janë detyrime të panegociueshme: “Koronavirusi ju duket si Sudja dhe tani duan që të rrinë në shtëpi dhe të marrin njësoj siç ishin në punë. Nga do të vijnë? Prandaj mos flisni absurditete”.
Kreu i qeverisë vijon të njoftojë se do të ketë lëshime dhe zgjatje oraresh, por pa të dhëna specifike. Pak, por e sigurtë është se gjobat do të jenë të kripura, e madje edhe deri në burgim. Për këtë, javën e ardhshme, Parlamenti do të mblidhet pas më shumë se një muaji, për të miratuar përveç akteve normative, edhe ndryshimet në Kodin Rrugor dhe Penal.
Por, deri kur do të zgjasë kjo luftë? Rama përgjigje nuk ka, por di se çfarë do ta sinjalizojë ngritjen e flamurit të bardhë nga Covid-19, duke i dhënë fund kësaj lufte. (A2 Televizion)