
Belgjika mund të tronditet së shpejti nga infeksionet e reja të koronavirusit. Paralajmërimi vjen nga ministri i Shëndetësisë, mes rasteve në rritje në të gjithë vendin.
Frank Vandenbroucke i krahasoi rastet e reja si një "cunami" ku autoritetet "nuk kontrollojnë më atë që po ndodh".
Masat e reja në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit hynë në fuqi të hënën. Të gjithë baret dhe restorantet janë të mbyllura për katër javë.
Belgjika ishte një nga vendet më të goditura gjatë valës së parë të koronavirusit në Evropë në fillim të këtij viti. Ajo është e treta me numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me Covid-19 për 100,000 banorë, në mbarë botën, pas Perusë dhe San Marinos, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Nga e hëna, nën kufizimet e reja të qeverisë për të trajtuar shpërthimin e koronavirusit, banorët do të lejohen të shohin vetëm një person tjetër jashtë shtëpisë së tyre dhe duhet të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur.
Një shtetrrethim është në fuqi, nga mesnata deri në orën 05:00, për muajin tjetër dhe shitjet e alkoolit janë të ndaluara, nga ora 20:00.
Z. Vandenbroucke e përshkroi situatën në Bruksel dhe në jug të vendit si "më të rrezikshmen në të gjithë Evropën".
Qeveria "ka vetëm një mesazh për publikun: mbrohuni, mbroni të dashurit tuaj, në mënyrë që të mos infektoheni."
Sipas Institutit Shëndetësor belg Sciensano, Belgjika ka regjistruar mesatarisht 7,876 infeksione të reja ditore gjatë shtatë ditëve të fundit, një rritje prej 79% në krahasim me javën e mëparshme. Të martën e kaluar, vendi raportoi 12,051 raste në 24 orë, shifra e tij më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.
Shtrimet në spital janë rritur gjithashtu, me 2,485 njerëz në spital me Covid-19, të hënën. Zyrtarët paralajmërojnë se nëse rastet vazhdojnë të rriten me të njëjtën ritëm, Belgjika do të plotësojë kapacitetin e saj prej 2,000 shtretërish të kujdesit intensiv deri në mes të nëntorit.
"Situata është serioze," deklaroi kryeministri Alexander De Croo. "është më keq sesa, më 18 mars kur u vendos bllokimi."
Numrat e të infektuarve po rriten në të gjithë Evropën, duke shkaktuar kufizime të reja në të gjithë kontinentin.
Italia njoftoi një sërë masash të dielën, pasi regjistroi shkallën më të lartë ditore të infeksionit, ndërsa nëntë qytete të mëdha franceze janë vendosur nën shtetrrethim.
Republika Çeke, e cila ka shkallën më të lartë të infeksionit në kontinent, po konsideron një bllokim të plotë kombëtar. (A2 Televizion)