Miliona britanikë anembanë vendit dolën sërish në rrugë dhe në dritaret e tyre, për të katërtën javë me radhë për të falënderuar stafin mjekësor që po përballet në vijën e frontit me pandeminë e koronavirusit.
Edhe njëherë qytetarët në Mbretërinë e Bashkuar shfaqën vlerësimin e tyre për të gjithë punonjësit që janë të detyruar t’iu shërbejnë në këto ditë të vështira, duke përfshirë këtu dhe stafin e supermarketeve, policinë apo dhe mësuesit.
Klubi i Manchester United iu bashkua gjithashtu këtij mesazhi falënderues duke e ndriçuar stadiumin e “Old Traford” me blu, ndërsa në hyrje të tij shfaqeshin tre shkronjat NHS që nënkuptojnë Shërbimin Shëndetësor Kombëtar.
Deri tani 45 mjekë dhe infermierë kanë humbur jetën si pasojë e pandemisë së koronavirusit. (A2 Televizion)