
Një tjetër mjek ka humbur betejën me koronavirusin në vendin tonë. Bëhet fjalë për mjekun anestezist pranë reanimacionit Prof. Dr. Mihal Kerci. Lajmin për ndarjen nga jeta e ka dhënë ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu, në një postim në rrjetet sociale.
Mjeku prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë për shkak të komplikacioneve që i shkaktoi Covid-19.
Kerci është mjeku i 25 që ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit që prej fillimit të pandemisë në Shqipëri.
Reagimi i plotë i Shehut:
Një “Requiem” per Prof. Dr. Mihal Kerci!
Sot dite zije për Anestezi-Reanimacionin e mjekësinë shqiptare!
Disa orë më parë, pas javë përpjekje, disa herë shpresash, më tej dëshpërimesh ne humbëm një nga kolegët tanë më të mire, Kryetarin e Shoqatës sonë të Anestezi-Terapi Intensive, mikun e vlefshëm, njeriun e ditur, të mirë e të pa pertueshem, Mihalin tonë!
Familja e tij humbi atë pjesëtar, bashkëshort e baba shembullor.
Studentët nuk do të dëgjojnë me leksionet e tij plot shkencë e pasion, pacientët nuk do ta kenë me në momentet më të vështira të tyre mbi kokë, duke u transmetuar shpresë, besim e qetësi!
Anestezi-Reanimacionit shqiptar e Rajonal do t’i mungojë një nga “kolonat” e organizatorët më të vlefshëm të tij, zëri i tij nuk do të dëgjohet me plot dije e eksperiencë në Konferencat, debatet, diskutimet tona….
Do na mungojë të gjithëve, familjarëve, kolegëve, shokëve, miqve, të sëmurëve që presin të shërohen…qytetarëve në tërësi.
Ta kujtojmë gjithmonë ashtu siç ishte në jetën e punën e tij!
Ngushëllimet më të sinqerta e të dhimbshme. (A2 Televizion)