Koronavirusi, Komisioni Evropian akordon 180 milionë euro hua për Shqipërinë

Nga A2 CNN
22 Prill 2020, 13:02 | Aktualitet
Koronavirusi, Komisioni Evropian akordon 180 milionë euro hua për

Komisioni Evropian ka miratuar propozimin për një paketë ndihme makro-financiare për të përballuar pandeminë e koronavirusit, nga e cila Shqipëria do të përfitojë 180 milionë euro në formë huaje.

“Ndihma e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë në kohën e koronavirusit shënon një tjetër hap të rëndësishëm. Komisioni propozoi të alokojë një fond prej 180 milionë eurosh për Shqipërinë, në formën e huave me kushtet tepër të favorshme, për të ndihmuar vendin të mbrojë qytetarët e tij dhe të lehtësojë pasojat social-ekonomike”, shkroi ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca.

https://twitter.com/LSorecaEU/status/1252919314086342656

Nga ana tjetër, Kosova do të përfitojë 100 milionë euro, po aq sa edhe Maqedonia e Veriut. Shteti i Ballkanit Perëndimor që do të marrë shumën më të madhe duket se është Bosnje-Hercegovina, 250 milionë euro, ndërsa Malit të Zi i janë akorduar vetëm 60 milionë euro. Bosnje-Hercegovina është edhe vendi më i prekur nga Covid-19 prej shteteve ballkanike në listë, me mbi 50 viktima dhe mbi 1300 raste të konfirmuara.

Propozimi i miratuar, ishte bërë në bazë të strategjisë së Bashkimit Evropian “Team Europe”, për të mbështetur vendet partnere të unionit në përpjekjet e tyre për të përballuar pasojat shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë.

“Ky vendim përfaqëson një demonstrim të rëndësishëm të solidaritetit të Bashkimit Evropian për këto shtete në një kohë të një krize të paprecedentë”, thotë BE, në njoftimin për mediat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos