
Kosova vijon të mbajë nën kontroll pandeminë koronavirus. Por, rikthimi në normalitet të plotë nuk mund të ndodhë ende. Xhamitë do të vazhdojnë të jenë të mbyllura, pavarësisht kërkesës së besimtarëve.
Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, vlerësoi se nuk janë krijuar ende kushtet për rihapjen e tyre. Bashkë me zyrtarë dhe ekspertë të shëndetësisë, kryemyftiu tha se grumbullimi i besimtarëve në xhami mund të sjellë rrezik për përhapjen e Covid-19: “Nuk janë krijuar kushtet për hapjen e xhamive në Kosovë. Kështu janë mendimet e ekspertëve të kësaj fushe. Unë nuk e njoh këtë sëmundje, por këta kolegët këtu që kanë punuar natë e ditë për ne do të japin mendimin e tyre për këtë. Ne do të shohim për mundësinë e parë për t’i hapur shtëpitë e Zotit”.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë Albin Kurti vizitoi disa biznese në Prizren dhe premtoi më shumë ndihma për fermerët e Kosovës: “Ne do ta ndihmojmë këtë hallkën e parë, pra fermerët, hallka e dytë janë industria ushqimore. Po të mos e harrojmë edhe hallkën e tretë që janë marketet, shumë prej të cilave ua vonojnë shumë pagesat industrisë së qumështit. Kemi probleme edhe në këtë hallkën e tretë dhe nëse një hallkë nuk funksionon siç duhet, atëherë i gjithë zinxhiri dobësohet”.
Ndërkohë, Kosova dhe Italia kanë arritur dakordësinë dhe do të realizojnë fluturimin e parë direkt me datë 21 maj. Njoftimi erdhi nga ambasadori italian në Prishtinë, Nicola Orlando. (A2 Televizion)