
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e beson shpjegimin e autoriteteve për një kurbë të ashtuquajtur të sheshtë të përhapjes së virusit në Shqipëri, si rezultat i masave të marra që evituan mbingarkesën e sistemit spitalor.
Sipas Petrit Vasilit, shifrat e bëra publike nga autoritetet nuk justifikojnë masa kaq të shtrënguara: “O kurbë e sheshtë dhe masat të hiqen; ose të bëhen publike të vërtetat që justifikojnë 8 javët dramatike dhe tragjike që kanë krijuar premisat e pandemisë ekonomike dhe pandemisë mjekësore, pasi mijëra të sëmurë kronikë po përballen me lënien pas dore”.
Ndërsa aleati i madh i LSI-së në opozitë, Partia Demokratike, akuzoi qeverinë se po u mohon kujdesin shëndetësor të sëmurëve kronikë që nuk janë prekur nga COVID-19.
Sipas Partisë Demokratike, kjo situatë po detyron qytetarët të zgjedhin mes shëndetit dhe faturës së rëndë që duhet të paguajnë në spitalet private. (A2 Televizion)