
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka përsëritur edhe njëherë tjetër thirrjen për më shumë teste për koronavirusin. Në një status në Facebook, ai shkruan se testimet janë të nevojshme për rikthimin sa më parë në normalitet.
Rezultatet pozitive të pacientit, ndërsa merrte shërbim në spitalin e Traumës, pas aksidentit automobilistik, tregojnë dhe njëherë rëndësinë e rritjes së testimeve, pasi në këtë mënyrë jo vetëm nuk arrijmë të shkëpusim dot zinxhirin e infektimit, por po vihet çdo ditë në rrezik shëndeti i mjekëve dhe infermierëve dhe rritja e të infektuarve nëpër spitale. Sot kemi disa mjekë dhe infermierë nga spitali i Traumës të vetëkarantinuar. Uroj me zemër që t’i kenë shpëtuar infektimit dhe të kthehen shpejt në krye të detyrës, aty ku ka dhe shumë nevojë.
Testimet kanë garantuar suksesin e menaxhimit të përhapjes së Covid-19 në shumë vende që sot po bëhen gati t’i hedhin hapat e parë drejt normalizimit. Prandaj, pa humbur kohë, duhet shtuar numri i testimeve në mënyrë që të nisë hapja dhe kthimin në normalitet në mënyrë të sigurtë dhe të qëndrueshme”, shkruan Bardh Spahia. (A2 Televizion)