
Protokolli i masave “si kurrë më parë”, që deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve për A2, nuk e mbajti koronavirusin jashtë mureve të burgut “Jordan Misja”, i njohur gjërësisht si burgu 313.
Plot 13 persona të izoluar në të u konfirmuan si të infektuar në 24 orët e fundit, ndërkohë që një gardian dhe një italian i paraburgosur u identifikuan si bartës disa ditë më parë. Burime të besueshme të A2 konfirmuan se të infektuarit janë veçuar nga të paraburgosurit e tjerë dhe janë karantinuar në sektorin Bis41. Ky sektor, i ndërtuar për të mbajtur të izoluar nga bota e jashtme kokat e krimit, tashmë është bërë strehë e të prekurve nga virusi.
Ndërkohë, ekspertët e ISHP-së janë duke bërë tamponimet tek të izoluarit e tjerë në të njëjtin burg, për evidentimin e të infektuarve të tjerë. Po sipas burimeve, ditët e fundit, Drejtoria e Burgjeve ka urdhëruar boshatisjen e Spitalit të Burgjeve për ta shndërruar atë në spital COVID. Për rrjedhojë, asnjë i burgosur me probleme shëndeti nuk është transportuar në këtë spital nga burgjet e tjera të vendit.
Gjatë paradites së të enjtes, aty është punuar për të instaluar bombula oksigjeni. Burimet saktësuan se në burgun e grave nr.325 po përgatiten ambiente për zhvendosjen e pacienteve femra, që ndodhen aktualisht në spitalin e burgjeve.
Situata ka krijuar shqetësim tek të burgosurit, por edhe tek familjarët e tyre.
Teksa situata është serioze dhe shqetësuese, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë zgjedhur të mos ndajnë asnjë informacion për publikun. Kërkesat e A2 për një reagim zyrtar mbi mënyrën si po menaxhohet situata, nuk morën përgjigje. Teksa dështuan në mbajtjen larg të virusit, autoritetet po përpiqen të kenë sukses në bllokimin e daljes së informacionit jashtë burgut. (A2 Televizion)