Si i preku koronavirusi funeralet dhe besimin?

Nga A2 CNN
22 Prill 2020, 12:18 | Sociale
Si i preku koronavirusi funeralet dhe besimin?

Në një ditë të zakonshme, Rikard Ljarja dhe Gëzim Kruja do të ishin përcjellë me të gjitha nderimet që parashikon statura e tyre artistike, njësoj siç ka ndodhur me të gjithë kolegët e tyre që kanë ndërruar jetë.

Por në muajt e pandemisë Covid-19, dy prej ikonave që lanë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar, të kinematografisë dhe të humorit, u përcollën vetëm nga pak njerëz për në banesën e fundit.

Tashmë ky është realiteti që po prek çdo familje që humbet të dashurit e saj. Koronavirusi pandemik duket se po e ndryshon rrënjësisht jo vetëm mënyrën e jetës së shqiptarëve, por dhe lamtumirën e tyre të fundit.

Pjesëmarrja masive në funerale, i ka lënë vendin ceremonive më të ngushta, me maksimumi 5 familjarë. “Marrin pjesë vetëm rrethi i ngushtë. Domethënë nuk kemi më atë pjesëmarrjen dhe ritualin e dhënies së dorës”, tregon Raimonda Shino, drejtore e shërbimeve funerale, Bashkia Tiranë.

Në ceremonitë mortore, lamtumirës familjare nuk i ka munguar asnjëherë ajo fetare. Edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, përfaqësuesit e besimeve fetare në vend, ende po mundohen të mos i kursejnë lutjet e fundit.

“Me Perëndinë nuk tallemi, është e njëjta procedurë. Por ajo që është kufizuar është numri i njerëzve që marrin pjesë në ceremoninë e varrimit”, tregon prifti ortodoks Nikolla Kodheli.

“Ai shoqërim shpirtëror të jetë pranë këtij njeriu që, duke i munguar të afërmit, të paktën të mos i mungojë bekimi i Zotit”, thotë ndihmës Ipeshkvi Arjan Dodaj.

Edhe kleri mysliman e bektashi nuk mungon në funerale, por nën masa sigurie dhe duke evituar vajtjen në banesë. “Namazi i xhenazezë, që është edhe shërbesa e fundit, të bëhet në ambient të hapur në varreza. Të mos ketë kontakte dhe të mbahet distanca”, thotë Myftiu i Tiranës, Lauren Luli.

“Stafi fetar i Kryegjyshatës merr pjesë në varrim, pastaj bëhet ceremonia në teqe ku bëhet edhe mevludi”, thotë dervishi Hisen Sulejmani.

Më të largët apo më të afërt? Si do të na lërë distancimi social kur të kalojë pandemia që prej muajsh po merr jetë njerëzish në mbarë globin; por ka edhe të shëruar të shumtë e po ashtu dhe lindje të reja që i shtohen njerëzimit. Megjithatë të panjohurat vazhdojnë dhe e tillë mbetet dhe e ardhmja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos