Koronavirusi përhapet në turneun e Djokovic, turnetë tenistikë të gushtit në rrezik

Nga A2 CNN
22 Qershor 2020, 14:27 | Sporte të tjera
Koronavirusi përhapet në turneun e Djokovic, turnetë

“Adria Tour”, turneu miqësor i organizuar nga tenisti serb Novak Djokovic, ka rezultuar një minë me sahat. Pas infektimit me koronavirus të bullgarit Grigor Dimitrov, prej të cilit u anulua finalja e turneut që do të ishte pikërisht përballë Djokovic, një tjetër tenist doli pozitiv pas testimeve. Bëhet fjalë për kroatin Borna Koric, i cili është prekur gjithashtu nga virusi ndërsa seria e infektimeve rrezikon të zgjerohet.

Djokovic është kryqëzuar nga fansat për riskun e marrë përsipër, turneu i të cilit u kritikua jo vetëm nga fansat por edhe nga disa kolegë të tij që e kanë konsideruar çmenduri organizimin në një situatë të tillë. Situata rëndohet më shumë prej faktit që yjet serbë të sportit, organizuan një aktivitet bamirësie pak ditë më parë në Beograd ku morën pjesë edhe yje të basketbollit botëror si Nikola Jokic apo Nikola Jankovic, me këtë të fundit që u shpall gjithashtu pozitiv nga testimet.

Sikur të mos mjaftonte kaq, yjet e sportit u mblodhën në një diskotekë për të festuar pa asnjë shqetësim për rregullat e distancimit social. Situata e krijuar me tenistët ka vënë rrezik rikthimin e aktiviteteve tenistike. “Cinicinati Masters” dhe US Open, të programuara në muajin gusht tashmë janë në pikëpyetje, edhe për shkak të shqetësimit të ngritur nga tenistët e tjerë që janë pjesëmarrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos