
Pas ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe ish-deputetit socialist, Alqi Bllako, afera e inceneratorëve rrezikon të dërgojë pas hekurave edhe ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkon arrestimin e tij, si person të dyshuar për tre vepra penale. Për shkak të cilësive të veçanta si deputet, përmes një shkrese të firmosur të premten nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, Struktura e Posaçme i kërkoi Kuvendit autorizim për prangosjen e ish-ministrit të Financave dhe për t’i ushtruar kontroll personal dhe të banesës.
Për SPAK, Ahmetaj ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” në 6 raste, “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, si edhe “pastrim të parave”, në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Ndryshe nga kërkesa të ngjashme të prokurorisë drejtuar Kuvendit, në kërkesën për Ahmetajn, SPAK kërkon një seancë me dyer të mbyllura në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet. Kjo e arsyetuar me ruajtjen e sekretit hetimor, pasi, sipas SPAK, në të njëjtën dosje vijon hetimi në drejtim të fakteve të tjera penale, apo personave të tjerë të implikuar në ndodhjen e tyre.
Hetimi ndaj Ahmetajt mban numrin 277/1 në SPAK dhe është bashkim i një hetimi të ndarë nga dosja e inceneratorit të Elbasanit dhe një hetimi të nisur pas një kallëzimi ndaj tij për “korrupsion” e “pastrim parash”. Ndonëse në fillim pati dyshime edhe për “shpërdorim të detyrës”, SPAK siguroi dyshime të arsyeshme vetëm për “korrupsionin”, “pastrimin e parave” dhe “fshehjen e pasurisë”. Për llogari të këtij hetimi, SPAK ka sekuestruar më herët një vilë në Hamallaj të zotëruar nga partnerja aktuale e Ahmetajt dhe një vilë në Palasë, e dyshuar si e zotëruar nga ish-bashkëshortja e tij.
Javën e fundit të qershorit, për gati 5 orë, Ahmetaj dha shpjegime personalisht në SPAK. (A2 Televizion)