
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 6 nga 8 të arrestuarit e dosjes “Tufina”, për korrupsionin me varret në kryeqytet. Në qeli do të qëndrojnë: Endrin Milla, Gazmend Daja, Eljodor Ndini, Latif Shehu, Alban Ajazi dhe Bujar Lica. Ndërsa Xhemal Mena, Fatjon Gjonaj, janë lënë në arrest në shtëpi nga Gjykata.
Ndërkohë do të vijojnë të procedohen në gjendje të lirë: Roza Ndoj, Juljan Çuka, ndërsa për të njëjtën dosje janë shpallur në kërkim Shaqir Nika dhe Fabjan Gjonaj.
Hetimi për aferat korruptive për prenotimin e varreve në Tufinë në kryeqytet nisi pas kallëzimit të një 81-vjeçareje në maj të këtij viti. Sipas dosjes së prokurorisë, dhjetorin e 3 viteve më parë e moshuara kishte paguar 50 mijë lekë të rinj ryshfet për një varr për vete e një për bashkëshortin tek një punonjës i Tufinës.
81-vjeçarja ka treguar se asaj e të shoqit iu kishin treguar dy varre të vjetra, duke iu thënë se trupat që gjendeshin në to do zhvendoseshin tek varrezat murale. Por kjo marrëveshje nuk iu ishte njohur disa muaj më vonë, kur ishte ndryshuar përgjegjësi i varrezës. Kallëzimi i të moshuarës, që nuk mori as tokën e varrit e as paratë, ishte gjeneza e operacionit “Tufina”, që pak ditë më parë çoi në pranga 8 persona, shpalli në kërkim dy të tjerë dhe dy të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.
Mes të prangosuve ishte dhe drejtori i varrezës së Tufinës, Eljodor Ndini. Mbajtja në përgjim të të dyshuarve zbuloi se zyrtaret e Agjencisë Funerale të Bashkisë Tiranë, ndikonin te zyrtarë të tjerë për nxjerrje lejesh ndërtimi dhe rindërtimi, certifikatash pronësie nga ASHK, si edhe certifikata te rreme vaksinimi nga Covid-19, të gjitha kundrejt ryshfetit, që shkonin deri në 200 mijë lekë.
Në hetimin e prokurorit Bledar Valikaj janë dokumentuar përgjime bisedash, ku të arrestuarit flasin për ryshfetet që marrin për prenotimin e varreve, si dhe për t’i çuar para drejtorit Ndini. Në një nga përgjimet, bashkëbiseduesit flasin “thotë shefi, a na nimo me 700 euro”. Nga ana tjetër, për ndërhyrjen e jashtëligjshme për leje ndërtimi janë përgjuar biseda ku përmenden shifra ryshfeti deri në 6 mijë euro. (A2 Televizion)