Kosova feston 15 vite shtet, pavarësia e pakthyeshme, mirënjohje për kontribuesit e lirisë

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2023, 19:40 | Kosova
Kosova feston 15 vite shtet, pavarësia e pakthyeshme, mirënjohje

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës 15 vite më parë shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të vendit.

Kështu u shpreh Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në fjalimin e mbajtur gjatë seancës solemne në parlament me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë.

Kryeministri i bëri homazh luftëtarëve të UÇK, dhe të burgosurve politikë, duke thënë se Republika e Kosovës, erdhi nga lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare.

“Në një kohë të vështirë politikisht ku jo vetëm politikanët dhe diplomatët, por edhe teoricienët politikë besonin se kishte përfunduar epoka e shtetndërtimeve në Evropë, në Ballkan u krijua edhe një republikë parlamentare e mirëfilltë. Akti i deklarimit të pavarësisë së Kosovës shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës”, tha Albin Kurti.

Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani theksoi se shteti i ri i Kosovës është zhvilluar e forcuar përgjatë 15 viteve, ndërsa premtoi se forcimi e mëtejmë do të ishte mision i gjithsecilit.

Duke ju referuar dialogut me Serbinë, Osmani e bëri të qartë se tërësia territoriale, kushtetutshmëria dhe sovraniteti i vendit janë të panegociueshme.

I pranishëm në seancën solemne dhe aktivitetet përkujtimore përgjatë ditës, ishte edhe presidenti shqiptar Bajram Begaj që garantoi se Shqipëria do të jetë pranë Kosovës për anëtarësimin në NATO, OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Siç e kërkon tradita, krerët e institucioneve dhe partive politike kujtuan sakrificat e të rënëve për liri, duke zhvilluar homazhe në memorialin përkujtimor Adem Jashari në Prekaz, tek varri i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe ai i veprimtarit Adem Demaçi.  

E pakursyer edhe mirënjohja për përkrahësin më të madh të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë, Shtetet e Bashkuara.

Ceremonitë përkujtimore me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë nisën me ngritjen e flamurit para godinës së qeverisë, në prani të presidentes Osmani, kryeministrit Kurti , kryetarit të parlamentit Glauk Konjufta dhe presidentit shqiptar Bajram Begaj.

U mbajt gjithashtu një mbledhje festive e qeverisë, ku kryeministri Kurti e cilësoi shtetin e Kosovës një shembull të mirë të demokracisë, në rajonin problematik të Ballkanit.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos