Kosova në zgjedhje të parakohshme, Kushtetuesja rrëzon qeverinë “Hoti”

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2020, 22:14 | Kosova
Kosova në zgjedhje të parakohshme, Kushtetuesja rrëzon

Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka rrëzuar qeverinë e kryeministrit Hoti me vendimin për të quajtur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, e cila ishte vendimtare për krijimin e mazhorancës qeverisëse.

Në disa nga arsyetimet e vendimit të Kushtetueses konstatohet se deputetit Arifi ka qenë i dënuar me një vendim të formës së prerë dhe për këtë arsye ai nuk mund të ishte kandidat për deputet dhe as të fitonte një mandat. 

Në vijim të këtij arsyetimi, deputeti në fjalë nuk duhej të merrte pjesë në votimin për qeverinë e re, e cila pa votën e tij nuk do të merrte shumicën e duhur.

Për këtë arsye, Kushtetuesja i kërkon presidentes që të shpallë zgjedhjet e reja brenda 40 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Lëvizja Vetëvendosje bëri një ankimim në Kushtetuese pas krijimit të qeverisë e cila mori 61 vota, se deputeti Arifi në kohë kur votoi ishte i dënuar me vendim gjykate.

Lidhja Demokratike e Kosovës e krijoi qeverinë e re pas rrëzimit të qeverisë Kurti me një mocion mosbesimi.

Pjesë nga arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

"TË KONSTATOJË se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË se, marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95

të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre;

TË KONSTATOJË se, ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe mbështetur në parimin e sigurisë juridike vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, ka theksuar Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, të cilin të plotë mund ta gjeni më poshtë: (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos