Kosova nuk gjen qetësi, Ahmeti: Do të duhen dekada për të rifituar besimin e ndërkombëtarëve

Nga A2 CNN
23 Prill 2020, 10:37 | Kosova
Kosova nuk gjen qetësi, Ahmeti: Do të duhen dekada për të

“Ne e kemi humbur durimin e faktorit ndërkombëtar dhe e kemi degraduar besueshmërinë e Kosovës me këta partnerë. Do të na duhen dekada për të rikthyer këtë besim. Dëmi nga kjo skenë e papërgjegjshme politike është shumë i madh”.

Kështu u shpreh në A2 analisti Arben Ahmeti teksa komentoi zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ai theksoi se maksimumi deri në fillim të javës së ardhshme koalicioni i ri do të jetë gati, ndërsa shprehet se në këtë situatë polarizimi është i skajshëm.

“Nëse jo këtë javë, do të kemi një koalicion në fillim të javës së ardhshme. Duket se VV ka vendosur t’i rezistojë një vendimi të tillë, qoftë duke mos liruar zyrat. Jemi në një situatë kur të dyja kampet synojnë se kanë të vërtetën e plotë të tyre dhe pak rol ka këtu Gjykata Kushtetuese. Përplasja është më reale dhe më e shpejtë se krijimi i qeverisë së re.

Është shqetësuese se do të kemi një situatë përplasje në këtë periudhë pandemie. Ne kemi edhe shumë gjëra të tjera që do të na unifikonin. Gjithçka që ne nuk po ofrojmë është uniteti, ka një polarizim të skajshëm dhe kjo bëhet qesharake kur kemi parasysh nevojën që ka interesi kombëtar”, tha Ahmeti.

Por kush janë përgjegjësit për këtë situatë në Kosovë? “Përgjegjëse janë të dyja palët, VV duhet t’i printe konsensusit. Faj ka edhe kampi tjetër, pasi nuk dëshmuan një gatishmëri për harmoni dhe koordinim mes veti. Kjo është edhe një situatë aspak e mire kur po na ftojnë në Uashington për të qenë të unifikuar. E gjitha bëhet se njëra palë ose tjetra, duke shkuar në Uashington duke bërë një marrëveshje, do t’i humbnin votat që i kanë fituar”, u shpreh analisti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos