Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Konjufca zgjidhet kryeparlamentar, LDK e mbështet

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2019, 16:21 | Kosova
Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Konjufca zgjidhet kryeparlamentar, LDK e

Legjislacioni i shtatë i Kuvendit të Kosovës u konstituua, rreth 3 muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme. Deputetët bënë betimin tradicional, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kishin rezervuar një surprizë ligjvënësve të Lëvizjes Vetëvendosje: flamurin kombëtar Shqiptar.

Partia e Albin Kurtit, fituese e votës së 6 tetorit, nuk arriti të vuloste marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por kjo seancë zbuloi se palët kanë një lloj dakordësie.

Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit, me 75 vota pro. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje u mbështet nga të gjithë ligjvënësit e LDK-së, një zhvillim surprizë, duke marrë parasysh që palët ishin dakordësuar që kryeparlamentari të emërohej pikërisht nga partia e Isa Mustafës. Pas i mori postin, Konjufca u zotua të zbatonte vetëm ligjin dhe Kushtetutën.

“Ju falënderoj që na e besuat këtë detyrë të rëndësishme dhe e cila është me shumë përgjegjësi. Ne ju garantojmë që edhe si Kryesi e Kuvendit të Republikës së Kosovës që do t’i kryejmë detyrat tona ashtu siç kërkohet me shumë nder sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe sipas Kushtetutës tonë, e cila është në fuqi”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

LDK bëri me dije se vota e tyre erdhi pas një vendimi të marrë nga kryesia e partisë. Mustafa pohoi se forca e tij politike mund të dilte në opozitë nëse dështojnë negociatat por theksoi se do të mbështeste të gjitha propozimet e Vetëvendosjes. Bashkë me Konjufcën u zgjodhën dhe 3 nënkryetarë të Kuvendit nga Vetëvendosje, LDK dhe PDK. Me këtë zhvillim mbylli punimet dhe seanca e parë e legjislacionit të shtatë të Kuvendit të Kosovë. Ndërkohë, në këtë seancë nuk ishin të pranishëm, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli dhe 7 deputetë të tjerë, që do ta bëjnë betimin në punimet e ardhshme të parlamentit.

https://a2news.com/2019/12/25/nuk-ka-marreveshje-per-qeverine-e-re-ne-kosove/

(A2 Televizion)

https://a2news.com/video/mblidhet-pa-marreveshje-per-qeverisje-parlamenti-i-kosoves/

A2 CNN Livestream

Latest Videos