
Në Kosovë ka filluar numërimi i votave vendore, ndërkohë që exit pollët japin qytetet kryesore në balotazh edhe pse rezultatet paraprake tregojnë një rezultat delikat për Vetëvendosjen e kryeministrit Albin Kurti në disa nga bastionet e saj.
Në Mitrovicën e Jugut, kandidati i PDK Bedri Hamza duket në avantazh të qartë me 54.45% të votuesve, me kandidatin e VV Agim Bahtiri nën 34%.
Vetëvendosja kryeson bindshëm në Prishtinë, me Arben Vitia që shkon në 42.66%, por pa shmangur gjithsesi balotazhin.
Rezultat i ngjashëm edhe në Prizren, ku VV kryeson me 41,30 % të votave, ndërkohë që kandidati i PDK Shaqir Totaj merr më shumë se 30% t\votave.
Gjakova sheh fitoren e Ardian Gjinit të AAK me 48%, me Mimoza Kusari Lila e VV nuk shkon më shumë se 38.58%.
Në Pejë, kandidati i LDK-së për Pejën Gazmend Muhaxheri ka thënë se ai ka fituar me 61 % të votave dhe gjithçka ka përfunduar.
U mbyllën në orën 19:00 qendrat e votimit në Kosovë, që do të përcaktojnë administratorët lokalë të vendit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se kanë votuar 43% ose 770 mijë e 171 votues.
“Ju njoftojmë se ka përfunduar procesi i votimit në Republikën e Kosovës. Tashmë të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur. Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga mbi 95% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar gjatë ditës së sotme është rreth 43% apo 770 mijë e 171 votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishin votuar 822 mijë e 484 votues apo 43.50% e votuesve”, ka thënë Kreshnik Radoniqi në konferencën e KQZ-së. (A2 Televizion)