
U mbyllën në orën 19:00 qendrat e votimit në Kosovë, që do të përcaktojnë administratorët lokalë të vendit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se kanë votuar 43% ose 770 mijë e 171 votues.
“Ju njoftojmë se ka përfunduar procesi i votimit në Republikën e Kosovës. Tashmë të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur. Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga mbi 95% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar gjatë ditës së sotme është rreth 43% apo 770 mijë e 171 votues nga 1 milion e 885 mijë e 448 votues. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishin votuar 822 mijë e 484 votues apo 43.50% e votuesve”, ka thënë Kreshnik Radoniqi në konferencën e KQZ-së.
Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, pjesëmarrja më e lartë regjistrohet në komunat me shumicë serbe, ku prin Mitrovica e Veriut.
Sipas kryetarit të KQZ, Kreshnik Radoniqi, gjatë paradites u shënuan 6 incidente të vogla, të cilat, sipas tij, nuk e dëmtuan procesin zgjedhor, ndërkohë që incidenti më domethënës ka ndodhur në Malishevë ku një vëzhgues dhe një komisioner janë arrestuar me akuzën e shitblerjes së votës.
Gjithsej në Kosovë janë 883 qendra votimi me 2 477 vendvotime. Rreth 25 000 vëzhgues vendas e ndërkombëtarë do të ndjekin nga afër procesin e votimeve, mes të cilëve 200 janë nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësitë diplomatike në Kosovë. Mbi 3 300 pjesëtarë të policisë dhe rreth 100 prokurorë e gjykatës do të kujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. (A2 Televizion)