
Që prej orës 7 të mëngjesit, qytetarët e Kosovës iu drejtuan qendrave të votimit për të zgjedhur kryetaret e rinj të 38 komunave dhe anëtarët e asambleve komunale. Gjithsej në Kosovë janë 883 qendra votimi me 2477 vendvotime, në të cilat vota do të përcaktojë se cilët nga 166 kandidatët e partive politike do të drejtojnë komunat dhe cilët nga mbi 5 000 kandidatë të tjerë, do të zënë vend në kuvendet e këtyre komunave.
Përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook, Presidentja Vjosa Osmani tha se shpreson që procesi zgjedhor i 17 tetorit të jetë i drejtë dhe i lirë, duke respektuar masat kundër pandemisë: “Sot, të gjithë votojmë për kualitetin e jetës sonë në komunat ku banojmë. Pavarësisht se në cilën komunë votoni, shpresoj që sërish ta dëshmojmë shpirtin tonë demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër Covid-19”.
Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 885 448 votues. Rreth 25 000 vëzhgues vendas e ndërkombëtarë do të ndjekin nga afër procesin e votimeve, në mesin e të cilëve mbi 200 janë nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësitë diplomatike në Kosovë.
Mbi 3 300 pjesëtarë të policisë dhe rreth 100 prokurorë e gjykatës do të kujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe parandalimin e keqpërdorimeve.
Zgjedhjet e sotme shihen si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që dolën fitues në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti. (A2 Televizion)