KPA riçel hetimin për Elisabeta Imerajn, nuk pranon pyetjen si dëshmitarë të familjarëve

Nga A2 CNN
12 Prill 2022, 13:22 | Kronikë
KPA riçel hetimin për Elisabeta Imerajn, nuk pranon pyetjen si

Pas tre seancave maratonë këtë të martë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e procesit të vetingut, i dha një tjetër rrjedhë procesit ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. KPA vendosi të riçelë hetimin gjyqësor për Imerajn, për të marrë në shqyrtim edhe disa prova të reja të paraqitura nga ana e saj në seancën e kaluar.

Mes provave që do të vlerësohen nga Kolegji janë akte shkresore të Kadastrës, Gjendjes Civile e Tatimeve, që sipas Imerajt, provojnë se ajo nuk ka zotëruar asnjëherë ndonjë pronë dhe as të jetë bashkëpronare në ndonjë pasuri. Njëkohësisht si provë e re, që do të merret në shqyrtim është edhe një vendim i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që nuk kishte gjetur konflikt interesi tek votimi i tre anëtarëve të KLP për promovimin e Imerajt, ndërsa kishin të afërm të tyre të punësuar në Prokurorinë e Tiranës dhe një shkresë e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku sipas Imerajt, pasqyrohet diskriminimi për shkak të vendit të origjinës. Imeraj nuk dha koment lidhur me riceljen e shqyrtimit gjyqësor.

Nga ana tjetër, Kolegji nuk pranoi pyetjen si dëshmitarë të më shumë se 10 personave, mes të cilëve edhe tre anëtarët e trupit gjykues të kryeprokurores se Tiranës në Shkallën e Parë të Vetingut dhe të vëzhguesit të ONM, Theo Jacobs.

Elisabeta Imeraj kaloi më sukses shkallën e parë të vetingut në prill të vitit të kaluar, por vendimi i konfirmimit të saj u kundërshtua në Apel nga Komisioneri Publik, që kërkon shkarkimin e saj nga detyra. Në seancën e radhës të çështjes, të caktuar në 20 prill, palët do të paraqesin konkluzionet e tyre përfundimtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos