
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë apel qytetarëve që të verifikojnë emrin në listën e zgjedhësve, të kontrollojnë vendndodhjen e qendrës së votimit dhe të rinovojnë dokumentin e identifikimit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote të verifikojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit. Kontrolli i listës së zgjedhësve dhe i vendndodhjes së qendrës së votimit mundet të bëhet duke klikuar në rubrikën “Lista e Zgjedhësve” në faqen e internetit të të KQZ-së www.kqz.gov.al, ose atë të Ministrisë së Brendshme www.mb.gov.al.”
KQZ njofton që nëse qytetarët konstatojnë parregullsi apo duan të ndryshojnë të dhënat, të paraqiten pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Administrative përkatëse.
Gjithashtu, KQZ i bën apel qytetarëve që ju ka mbaruar ose ju mbaron afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit (Letërnjoftim/ ose Pasaportë) deri në datën 25 prill që të aplikojnë për rinovimin e tyre.
“Procesi i votimit nuk mund të kryhet pa një mjet identifikimi të vlefshëm në ditën e zgjedhjeve. Ndaj, KQZ ju bën thirrje qytetarëve që të mos e lënë për në momentin e fundit, por të drejtohen pranë zyrave të kompanisë “Aleat”, për të aplikuar për rinovimin e dokumentit të identifikimit”.
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, synohet të implementohet identifikimi elektronik i zgjedhësve, ndaj një dokument i identifikimit i vlefshëm është shumë i rëndësishëm për pjesëmarrjen në votim. (A2 Televizion)