
Goditja e krizës së çmimeve po vjen më e zbutur në vendin tonë. Nëse krahasojmë të dhënat zyrtare të inflacionit në Shqipëri, me ato të Bashkimit Europian, rezulton se në muajin Shkurt, ky nivel në vendin tonë fiksohej në 3.9%, nga mesatarja europiane prej 6.2%.
Teksa për shumë produkte rritja është thuajse identike, si në rastin e transportit, drithërave dhe mishit, për shumë të tjera si qumështi dhe bulmetet, pijet joalkoolike, vajrat, peshku, etj. inflacioni në vendin tonë është më i ulët.
Diferenca më e madhe me Bashkimin Europian ndërkohë qëndron tek kategoria “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”. Fakti që fatura e energjisë elektrike nuk ndryshoi për konsumatorët familjarë, biznesin e vogël dhe u subvencionua për mbi 7 mijë biznese të tensionit të mesëm, bën që në vend rritja e çmimeve për këtë kategori të jetë 1.8%, kundrejt 13.1% në Europë.
Në Mars ndërkohë, qeveria shqiptare nisi aplikimin e çmimeve tavan për karburantet dhe disa nga produktet kryesore të shportës ushqimore si vaji, mielli, orizi dhe sheqeri. Kjo politikë në kufizimin e marzhit të fitimit për tregtarët, pritet të zbusë ndjeshëm inflacionin për këto kategori dhe të gjitha nënproduktet. Kështu, nga 7.5% inflacioni i regjistruar në Eurozonë, në vend rritja e çmimeve pritet të vazhdojë të jetë më e moderuar, por gjithsesi mbi nivelin 4%.
Pozitive për shqiptarët është edhe rikthimi në normalitet i kursit të euros në tregun e këmbimit valutor, pasi në të kundërt, me një lek më të dobët, do të rëndonte edhe më mbi këtë krizë. (A2 Televizion)