
Lufta në Ukrainë do të plagosë dhe ekonominë shqiptare. Sipas raportit të fundit të BERZH, pritet një ngadalësim i nivelit të zhvillimit ekonomik për dy vitet në vazhdim.
Për këtë vit, rritja parashikohet në vetëm 3,3%, nga 3,7% që kishte qenë parashikimi i mëparshëm i këtij institucioni për vendin tonë. Ndërsa edhe për vitin pasues 2023, rritja do të jetë 3,5%.
Kriza e shkaktuar nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës do të godasë disa sektorë ekonomikë si tregtia dhe investimet, efektet e të cilave kanë filluar të ndihen dhe në vendin tonë.
Të dhënat e raportit tregojnë se vendet e Ballkanit do të preken nga rritja e çmimit të karburanteve dhe disa nga rritja e çmimit të gazit. Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë më të ekspozuara dhe ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike si vende që më shumë importojnë energji sesa eksportojnë.
Për vendet e rajonit, BERZH prashikon një rritje me 4% vetëm për Kosovën, ndërkohë për vendet e tjera rritja varion nga 2,3 deri në 3,7%.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim shprehet se pasojat e luftës do të ndihen në afatgjatë duke tkurrur ekonominë globale, ndërkohë që parashikimi i qeverisë shqiptare për këtë vit tregon një forcim të ekonomisë vendase deri në 4%. (A2 Televizion)