Rimëkëmbja e ekonomisë, thatësira "mbyti" rritjen në fundvit, 2021 mbyllet me +8.5%

Nga A2 CNN
31 Mars 2022, 13:17 | Ekonomi
Rimëkëmbja e ekonomisë, thatësira "mbyti" rritjen

Ekonomia shqiptare u rrit me 8.54% vitin e shkuar, në linjë me parashikimet e mëhershme të Ministrisë së Financave. Ndërtimi ishte sektori që dha kontributin më të madh në këtë rritje, në fund të vitit të shkuar, ndjekur nga tregtia dhe turizmi, si dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme.

Në sy bie edhe rikthimi në një territor pozitiv i bujqësisë shqiptare, që regjistroi rritje pas thuajse një viti në rënie ekonomike apo stanjacion.

Eksportet rezultuan në rritje dyshifrore, si për mallrat ashtu edhe për shërbimet shqiptare, edhe pse inflacioni i lartë në vendet partnere, bëri që rritja e importeve të ishte edhe më e lartë, duke thelluar deficitin tregtar.

Kriza energjetike ndërkohë ndikoi duke anuluar të gjithë ecurinë pozitive që mund të kishte sektori i industrisë nxjerrëse dhe përpunuese. Pavarësisht rritjes së çmimit të naftës bruto në bursa, lëndëve të para nga industria minerare, apo edhe rimëkëmbjes së prodhuesve shqiptarë, vendi vuajti më shumë thatësirën, duke u detyruar të blejë mbi 150 milionë euro energji elektrike. Pa këtë krizë, rritja mund të kishte qenë edhe më e madhe, ndërsa për vitin 2022, energjia, së bashku me çmimet e karburanteve dhe inflacioni në tërësi, shihen si kërcënimi kryesor i zhvillimit ekonomik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos