
Një qark problematik për të ftuarit e Absolut 4, që po analizojnë riskun zgjedhor në kuadër të 25 prillit, është ai i Vlorës.
Sipas Afrim Krasniqit, kurioziteti në atë qark është për të ditur cilin do të eliminojë nga gara kandidatura e kryeministrit Edi Rama, kryetarin e PS apo Vullnet Sinajn që është deputet i zonës dhe pretendon të marrë 10 mijë votat që i sigurojnë mandatin, pa anashkaluar kandidatë të PD me lidhje dhe ndikim ekonomik dhe ish-deputetë të qarkut si Dashamir Tahiri, që garon me partinë e drejtuar nga Jozefina Topalli, dhe që mund të luaj një rol.
Sipas Krasniqit, një burim risku vjen nga fakti që ”Partia Socialiste nuk zgjeron dot numrin e votuesve, por pretendon t’i mbajë ato vota, dhe gjithmonë kjo e bën garën problematike, sepse po ra numri i votuesve, siç pritet të ndodhë, atëherë duhet të kompensosh në periferitë, duke blerë vota ose duke siguruar mekanizma të tjerë”.
Por në PS-në e qarkut Vlorë nuk mungojnë edhe problematikat e brendshme, siç kujton analisti Ilir Kalemaj, si ajo midis ministres së Ekonomisë Anila Denaj dhe deputetit Alket Hysenaj, ose vetë kryeministrit Rama me kryebashkiakun Dritan Leli, i zgjedhur dy herë me PS por që sipas tij “prej të paktën 6 muajsh de facto pushtetin e ka nënkryetari, i besuar i Damian Gjiknurit”. (A2 Televizion)