
Besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë sot Pashkët. Në vendin tonë mbrëmjen e djeshme është mbajtur mesha e shenjtë në të gjitha kishat katolike. Në Tiranë mesha nisi në orën 23:00 në Katedralen e Shën Palit. Kjo është mesha e parë që zhvillohet në mesnatë pas 2 vitesh nën masat e pandemisë së COVID-19, ndërkohë që besimtarë të shumtë kanë mbushur Katedralen në kryeqytet për ta ndjekur.
E diela e sotme për të gjithë besimtarët katolikë është dita e Ringjalljes së Krishtit. Pashkët janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit.
Mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë katolikë: Gëzuar Pashkën!, ndërsa një ditë më parë uruan Pashkët liderët kryesorë politike të vendit përfshirë presidentin Ilir Meta dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolli.
Ndërsa Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, duke uruar besimtarët për kremtimin e Pashkëve Katolike, në mesazhin e tij bëri thirrje që të ndalet lufta, por edhe korrupsioni e ryshfeti në shoqërinë shqiptare.
Edhe A2 CNN i bashkohet urimeve duke uruar të gjithë besimtarët katolikë: Gëzuar Pashkët! (A2 Televizion)