
Prokuroria e posaçme e hetimit, do të ngrihet me çdo kusht edhe nëse numri i konkurrentëve do të jetë i vogël. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, deklaron se SPAK mund të ngrihet edhe me 10 prokurorë.
“Një gjë është e sigurt, që jemi të detyruar të emërojmë të paktën 10 prokurorë në SPAK, është një dysheme poshtë së cilës nuk shkojmë dot. Nëse do të jemi në gjendje t’i emërojmë të 10 përnjëherë, ose do të emërojmë më pak prej tyre në pritje të vetting-ut, kjo mbetet për t’u parë”
Gent Ibrahimi, kryetar i KLP
Ai deklaron se do të kërkohet ndërhyrja e institucioneve që emrat e prokuroreve të SPAK të kalojnë radhën e vetting-ut.
“Jam i sigurt që një pjesë e atyre që do të kandidojnë janë tashmë pjesë e vetting-ut, kështu që nuk do të jetë një sforcim i skajshëm për të shtuar edhe ca të tjerë në listë”.
Gent Ibrahimi, kryetar i KLP
Prokurorët që do të aplikojnë në këtë garë, nga sot do të kenë një dokument më pak, i njohur ndryshe si formulari A, i dorëzuar tashmë përpara institucioneve të vetting-ut. (A2 Televizion)