Edhe pse kanë kaluar dekada të tëra nga krimet e tyre, shumë vrasës vijojnë ende të jetojnë të lirë. Në shumë ngjarje të tmerrshme, identiteti i viktimave vijon të mbetet ende i pazbuluar. Disa fëmijë të zhdukur sot do të ishin në të tridhjetat apo dyzetat e tyre.
Alabama | Sherry Lynn Marler u zhduk në Greenville në vitin e largët 1984.

Më 6 qershor 1984, 12-vjeçarja nga Greenville, Sherry Lynn Marler shkoi në qytet me njerkun e saj. Ndërsa ai shkoi në bankë për të nënshkruar disa dokumente, i dha 1 dollarë 12-vjeçares për të blerë një pije në një makinetë, ndërsa i tha se do të takoheshin sërish te kamioni pas 15 minutash. Por që nga ai moment, ata nuk u takuan kurrë më.
Alaska | 8 persona u vranë në anijen e peshkimit “Investor” në Craig në vitin 1982

Tetë persona, mes të cilëve, një burrë, gruaja e tij shtatzënë dhe dy fëmijët e tyre, u qëlluan për vdekje në një varkë peshkimi më 6 shtator 1982. Më pas, besohet se vrasësi është kthyer sërish në vendngjarje pasditen e ardhshme për t’i vënë flakën varkës. Kjo ishte ngjarja më e tmerrshme në historinë e Alaskës, e cila tronditi qytetin e vogël të peshkimit Craig. Ajo u bë edhe subjekt i një libri, ndërsa nuk është zbardhur ende sot.
Arizona | Pauline Robbin Burgett u godit me thikë për vdekje në vitin 1978.

Pas një fundjave pushimi me nënën e tij, më 12 mars 1978, Chad Burgett u rikthye në shtëpi në Phoenix ku gjeti motrën e tij, Pauline Robbin, të vrarë me thikë. Policia mendon se autori e ka njohur 16-vjeçaren. Ata kanë prova të ADN-së, por ende nuk e kanë identifikuar autorin.
Arkansas | Morgan Nick u zhduk në një park në Alma në vitin 1995.

6-vjeçarja Morgan Nick u pa për herë të fundit më 9 qershor 1995 në një park në Alma, Arkansas. Kur ajo u zhduk, një burrë i paidentifikuar u pa teksa largohej me një kamion të kuq. Ai konsiderohej i dyshuar, por kurrë nuk u zbulua. Familja krijoi edhe Fondacionin Morgan Nick, por as ai nuk ka dhënë rezultat.
Kaliforni | “Vrasësi i Zodiakut” terrorizoi Kaliforninë.

“Vrasësi i Zodiakut” lidhet me vrasjen e 5 personave dhe dy tentativa vrasjesh mes viteve 1960 dhe 1970, por ai ka marrë përgjegjësinë për kryerjen e 37 vrasjesh, teksa ka dërguar mesazhe të koduara në gazeta që përshkruanin krimet e pretenduara. “Vrasësi i Zodiakut” ka qenë subjekt i disa filmave, duke përfshirë edhe “Zodiac” dhe “Dirty Harry”.
Një grup hetuesish të pavarur të quajtur “Case Breakers” pretenduan se kishin identifikuar kriminelin famëkeq në vitin 2021. Megjithatë, Policia e San Franciskos tha për Fox News se hetimet janë duke vazhduar.
Delauer | Jane Marie Prichard u gjet e vdekur në “Blackbird” në vitin 1986.

Jane Marie Prichard do të merrte një diplomë masteri në botanikë në Universitetin e Maryland dhe vizitoi shumë herë Blackbird State Forest për kërkimet e saj.
Më 19 shtator 1986, shënimet e saj të detajuara ndaluan rreth orës 10 të mëngjesit. Ajo u gjet e pajetë të nesërmen gjysmë e zhveshur, pasi ishte qëlluar në shpinë. Pylli frekuentohet nga gjuetarët, ndërsa vdekja e saj u vlerësua si vrasje. Një gjuetar u arrestua dhe u mor në pyetje, por provat e ADN-së e shfajësuan atë në vitin 1987.
Florida | Një vrasje e trefishtë në Tallahassee është ende e pazbardhur edhe sot, 50 vjet nga koha e ngjarjes

Robert e Helen Sims dhe vajza e tyre Joy u gjetën të lidhur dhe të goditur me thikë në shtëpinë e tyre në Tallahassee më 22 tetor 1966. Më shumë se 50 vjet më vonë, policia ende nuk e di se kush e kreu krimin e trefishtë.
Xhorxhia | Vanessa "Honey" Malone u qëllua me armë teksa vizitoi apartamentin e miqve të saj në Stone Mountain në vitin 2012.

Pasi ishte kthyer nga puna në vitin 2012, 18-vjeçarja Vanessa "Honey" Malone i tha nënës së saj, Flora, se po dilte. Jo shumë kohë nga ai moment, e ëma dëgjoi të shtëna nga një kompleks apartamentesh jo shumë larg dhe telefonoi menjëherë Vanessa-n, por ajo nuk iu përgjigj kurrë. Dy miq të Vanessa-s, të cilët po merrnin me qira apartamentin ku ajo u vra, thanë se ishin viktima të një grabitje të armatosur. Ata treguan se ishin lidhur dhe ishin vendosur në një tualet gjatë sulmit.
Në vitin 2020, policia kreu një arrestim për rastin. Megjithatë, pretendohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë më shumë persona.
Havai | Vrasja e Lisa Au, një nga misteret më të mëdha të Havait.

Lisa Au ishte 19 vjeçe dhe punonte si parukiere në vitin 1982. Më 21 janar, pas darke, ajo u largua nga shtëpia e motrës së të dashurit të saj. Disa orë më vonë, makina e saj u gjet e parkuar përgjatë autostradës në Kailua, ndërsa trupi i saj gati i dekompozuar u gjet 10 ditë më vonë.
Dëshmitarët kanë rrëfyer se pas makinës së viktimës kishin parë një automjet tjetër, me drita blu si ato të policisë, duke bërë që policia në Honolulu të ndalonte dritat e tilla në automjete. Asnjëherë nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të akuzuar një person për këtë krim të tmerrshëm.
Ajdaho (Idaho) | Midis vitit 1979 dhe 1982, pesë vrasje dhe zhdukje ishin të lidhura me një person të vetëm të panjohur

Në një zonë në kufirin midis Ajdahos dhe Uashingtonit, të njohur si zona metropolitane Lewiston-Clarkson, një seri vrasjesh dhe zhdukjesh midis vitit 1979 dhe 1982 mbetën të pazbardhura. Nga pesë personat e zhdukur, u gjetën vetëm trupat e Kristina Nelson, Jacqueline "Brandy" Miller dhe Kirstin David. Steven Pearsall dhe Christina White nuk u gjetën kurrë.
Rastet u shfaqën në serialet dokumentare të “Discovery”, “Lugina e Ftohtë”.
(A2 Televizion)









