Krimet zgjedhore në Shijak, SPAK kërkoi arrestimin e komisionerit të vdekur

Nga A2 CNN
29 Korrik 2020, 10:54 | Aktualitet
Krimet zgjedhore në Shijak, SPAK kërkoi arrestimin e komisionerit

Dy nga komisionerët zgjedhorë të Shijakut, të akuzuar për lejim të votimit fiktiv në vitin 2017, kanë vdekur teksa hetoheshin nga SPAK. Në mungesë të dijenisë së faktit, SPAK kërkoi së fundmi arrestimin e njërit prej tyre dhe masën e sigurisë “arrest shtëpie” për tjetrin, si pjesë e grupit prej 21 komisionerësh zgjedhorë të dosjes 339, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Posaçme.

Situata u kthjellua kur Oficerët e Policisë Gjyqësore shkuan në banesat e Besim Bregut, ish-kryetar komisioni dhe komisionerit Kasem Lala për të zbatuar urdhrat e gjykatës dhe mësuan nga familjarët se ata ishin ndarë nga jeta muaj më parë.

Burime pranë SPAK konfirmuan se ish-kryetari i komisionit zgjedhor në Rubjek, Bregu dhe komisioneri Lala nuk ishin çregjistruar nga regjistrat e gjendjes civile. Po sipas burimeve, hetimi i çështjes ka qenë i vështirë për shkak të nevojës së ruajtjes së sekretit, ndërkohë që të hetuarit ishin pjesë e një komuniteti të ngushtë, banorë të fshatit Rubjek të Shijakut.

Njëkohësisht, për shkak të rrezikshmërisë së ulët shoqërore, ata nuk janë mbajtur në vëzhgim nga agjentët operacionalë gjatë hetimit. SPAK njoftoi të martën vënien nën hetim të 21 komisionerëve zgjedhorë të Shijakut për abuzime në zgjedhjet e qershorit 2017. Sipas prokurorisë, në tre qendra votimi ata kanë lejuar të votohet për 52 persona në total, që ditën e zgjedhjeve nuk kanë qenë në Shqipëri.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos