
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, foli për menaxhimin e pandemisë në vendin tonë dhe shtimin e rasteve gjatë ditëve të fundit.
Beqaj evidenton dy momente, që sipas tij, nuk kanë funksionuar në nivelin e lartë të politikës dhe qeverisë në vend.
“Që prej dy muajsh, nga lehtësimi i jetës komunitare, ishte e pritshme të kishim një rritje të rasteve pozitive, pasi periudha e izolimit nuk e largoi virusin, por ishte një periudhë e domosdoshme që ne të bënim përgatitjet e domosdoshme për të bashkëjetuar me këtë virus, që mesa duket do të zgjasë. Duke qenë një virus i familjes që prekin rrugët e frymëmarrjes, shpresohej që në verë do të kishim një rënie të intensitetit, por jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, ka një rritje të numrit të rasteve pozitive. Unë mendoj se një nga arsyet që ne kemi këtë rritje është se ne si shoqëri nuk ishim të aftë të ndërgjegjësohemi se bashkëjetesa do të duhet të jetë në një normalitet të ri, duke pranuar disa kufizime. Ajo se çfarë nuk ka funksionuar në nivelin e lartë të politikës e të qeverisjes janë dy momente. E para, mungesa e një mesazhi të unifikuar nga e gjitha klasa politike në lidhje me gjërat e pandemisë. Situata i ka bërë njerëzit të jenë edhe dyshues në zbatimin e masave për sa kohë ka pasur edhe një qasje bipartizane në pranimin e masave. Së dyti, qeveria nuk ka bërë punën e mjaftueshme për të arsyetuar dhe shpjeguar psenë e çdo mase. Nëse ne do të kishim një arsyetim më të plotë për çdo masë, nëse do të kishim një mesazh politik të unifikuar, nëse do të kishim jo vetëm një ndërgjegjësim, por edhe një bashkëpjesëmarrje më të madhe të qytetarëve, do të kishim një situatë më të lehtë”, u shpreh Beqaj në A2.
Më tej, ish-ministri i Shëndetësisë jep edhe shembullin e ndalimit të muzikës dhe arsyetimin e këtij vendimi. Ai thekson se masat janë optimiste, por zbatimi i tyre nuk është optimist.
“Është thënë që nuk do të ketë muzikë pas orës 20:00. Ky vendim tashmë ka vetëm një mundësi, të zbatohet nga kushdo. Është e papranueshme që ditën e shtunë një këngëtar poston në profilin e tij që do të jetë në orën 21:00 në Jalë në një lokal të caktuar. Që nga këtu fillon shkelja e ligjit. Nëse është e ndaluar, as që duhet të shkohet aty. Në kuptimin tim, autoritetet duhet ta zbatojnë ndëshkimin në mënyrë sa më uniforme, sepse edhe moszbatimi uniform i një rregulli krijon premisa që edhe qytetarët të mos i zbatojnë. Masat janë optimiste, zbatimi i tyre nuk është optimist. Masat janë të mirëmenduara, por duhet të jemi të vetëdijshëm, beteja me Covid-19 duhet të jetë betejë territoresh dhe jo spitalesh”. (A2 Televizion)