
Kanë kaluar 3 ditë nga masakra në "Don Bosko" dhe policia akoma nuk ka persona të dyshuar për atentatin ku humbi jetën banakierja e lokalit, Mimoza Paja, u lëndua mbesa e saj e mitur 10-vjeçare dhe u plagosën 5 persona të tjerë.
Hetuesit janë përqendruar te sekuestrimi dhe vëzhgimi i kamerave të sigurisë përgjatë gjithë itinerarit që ka ndjekur makina e autorëve, që nga vendi i ngjarjes, deri në fshatin Likmetaj, ku u gjet e djegur me 3 kallashnikovë brenda.
“Duhet t’i vendosim një vepër penale autorëve ndryshe nga ato aktuale kur qëllojnë në lokale dhe rrezikojnë shumë jetë njerëzish, në mënyrë që të shkojnë menjëherë në burgim të përjetshëm. Në rastin e fundit, policia duhet të kishte bërë më shumë dhe të kishte gjetur menjëherë autorët pasi ndodhi në një vend publik dhe atyre duhej t’iu jepej një mesazh, jo më në vende publike.
20 mijë euro janë pak për informatorët. Paraja do ta çonte një informator në polici. Shifrat e mëdha janë të rëndësishme në këto raste, paratë kanë vlerë. Në të gjitha rastet kur shifra ka qenë 100 mijë euro në Shqipëri ka pasur interes.
Informacioni vjen nga brenda grupit, ku një anëtar do të tradhtonte për para shokët dhe do t’i tregonte ato”, tha gazetari. (A2 Televizion)